Një tjetër sulm rus ndaj institucioneve italiane. Këtë herë është prezantuesi i njohur televiziv Vladimir Soloviev, i dekoruar me Urdhrin e Nderit rus nga Vladimir Putin, që ka formuluar fyerje të rënda dhe të dhunshme ndaj kreut të qeverisë italiane.
Me një përshkallëzim të rrallë në ashpërsi dhe vulgaritet, prezantuesi i afërt me qëndrimet e Kremlinit, gjatë një episodi të programit Polnyj Kontakt, u shpreh në italisht me fjalë të cilësuara si “të turpshme” nga e gjithë politika italiane, duke e përkufizuar kryeministren si “një fashiste, bishë natyrore, idiote e patentuar, një grua e keqe” dhe madje duke arritur ta quajë “PuttaMeloni”.
Por jo vetëm kaq: me një sulm që, sa mbahet mend, është i paprecedentë ndaj një kreu shteti apo qeverie, prezantuesi vazhdoi: Meloni është “një turp për racën njerëzore. Tradhtia është emri i saj i dytë: ka tradhtuar Trump-in, të cilit më parë i kishte betuar besnikëri”. Më pas ai vazhdoi në rusisht: “Evropa ka hyrë në luftë të drejtpërdrejtë me ne, e kemi dëgjuar nga Merz. Kjo Meloni, lavire fashiste, që ka tradhtuar votuesit e saj duke kandiduar me slogane krejt të ndryshme...”. Për ta mbyllur në mënyrë kategorike: “Kjo është një realitet i vërtetë”.
Reagimi italian ishte pothuajse i menjëhershëm: menjëherë pas publikimit nga agjencitë e lajmeve, Farnesina, edhe një herë, thirri ambasadorin për sqarime: “Kam thirrur në ministri ambasadorin Paramonov për të shprehur protesta formale pas deklaratave shumë të rënda dhe fyese të prezantuesit Soloviev në televizionin rus ndaj kryeministres, së cilës i shpreh gjithë solidaritetin dhe afërsinë time”, shkruan pak pas orës 18 në X, Antonio Tajani.
Në mbrëmje ndërhyn edhe Giorgia Meloni, e cila iu përgjigj fyerjeve në këtë mënyrë: “Një propagandist i zellshëm i regjimit nuk mund të japë mësime as për koherencë dhe as për liri. Por sigurisht këto karikatura nuk do të na bëjnë të ndryshojmë rrugë. Ne, ndryshe nga të tjerët, nuk kemi fije, nuk kemi padronë dhe nuk marrim urdhra. Busulla jonë mbetet një: interesi i Italisë. Dhe do të vazhdojmë ta ndjekim me krenari, pavarësisht propagandistëve të çdo ane”.
Natyrisht, pas këtij episodi thellohet edhe më tej përçarja diplomatike mes Romës dhe Moskës, e nisur me pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022, dhe e shoqëruar me një seri dëbimesh, thirrjesh të ambasadorëve dhe përplasje të ashpra verbale. Për të përmendur vetëm rastet kryesore: në prill 2022, pas masakrës së Bucha-s, Italia dëboi 30 diplomatë rusë për “arsye sigurie kombëtare”, të konsideruar pranë shërbimeve sekrete. Moska u përgjigj duke dëbuar 24 diplomatë italianë. Arrestimi në Romë i kapitenit të fregatës Ëalter Biot, i kapur duke dorëzuar dokumente të klasifikuara një oficeri të ushtrisë ruse, çoi në dëbimin e dy zyrtarëve të ambasadës ruse.
Sulme verbale ndaj Sergio Mattarella kanë ndodhur disa herë edhe vitin e kaluar. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e ka sulmuar presidentin italian, duke e akuzuar se “gënjen” për kërcënimet bërthamore ruse./Corriere della Sera
Komente







