Ka veshur 63 herë fanellën e Kombëtares kuqezi dhe ka shënuar dhjetë gola. Altin Rraklli, ish-sulmuesi i kuqezinjve ka folur nga Gjermania për Report TV në lidhje me dy ndeshjet kualifikuese që Kombëtarja luan kundër Çekisë dhe Polonisë për grupin E të Euro 2024.

Për emisionin "Sot Live në Shqipëri" me gazetarin Andi Kapxhiu, kavajasi i ka dhënë shanse reale kuqezinjve për kualifikimin, duke treguar edhe recetën e duhur për të marrë pikë në ndeshjen e nesërme (20:45) në Pragë.

"Do jem në stadiumin e Pragës sepse e kam këtu afër, do shkoj së bashku me dy fëmijët e mi dhe besoj do jem një ogur i mirë. Dihet vështirësia e ndeshjes, përballemi me ekipin më të mirë në grup. Ka një ekip të organizuar, janë gjithmonë në finalet e Botërorit apo edhe Europianit. Le të themi se nuk kemi në grup elitën e skuadrëve evropiane. Kemi mundësi reale që të marrim pikë nesër në Pragë", tha fillimisht Rraklli.

Më pas ish-sulmuesi tregon edhe formulën për të marrë pikë në "Fortuna Arena" të Pragës, me Rrakllin që kërkon mbrojtje të fortë dhe kundërsulm pas minutës së 70-të.

"Kualiteti? Kemi cilësi në ekip, këtë fillim sezoni lojtarët që do jenë në fushë kanë minuta me ekipet e trye. Kjo është e rëndësishme. Çekia ka edhe ajo cilësitë e veta, nuk do futemi në përballjet direkte mes lojtarëve. Sugjeroj që mos sulmojmë në front, të mbështetemi në krah dhe mos lëmë hapësira. Polonia nuk i ka kualitetet e Çekisë. Duhet të jemi të organizuar në mbrojtje, me forca të shumta në prapavijë. Besoj se nëse për 70 minuta nuk pësojmë, them se Çekia do lërë hapësira pas dhe do kundërsulmojmë për shanset tona. Në fillim të mos pësojmë", tha 53-vjeçari.

Presioni dhe pikët që na duhen në këto dy ndeshje, kjo ishte tema tjetër e cekur nga Rraklli.

"Presioni? Kur vesh atë fanellë, bën mirë mos e kesh problem këtë presion. Këtu përfaqëson kombin dhe flamurin, ndryshe nga klubet. 'Të zbresin burrat në fushë' në çdo ndeshje, pa parë kundërshtarin. Cikalleshi e ka thënë këtë duke qënë se Çekia është në krye të grupit, duhet një farë burrërie për të sulmuar më të fortin.

Sa pikë na kënaqin në këto ndeshje dhe shanset për kualifikim pas dy dueleve? T'i marrim takimet një nga një. Nëse mban mend Euro 2016, ndeshjet i morëm me radhë. Në Danimarkë morëm barazim, edhe nesër të luajmë për mos humbur. Duke pasur nën kontroll barazimin, mund të rrëmbejmë edhe fitoren. Grupi ynë ka pasur luhatje, Çekia ka barazuar kundër një ekipi modest, Polonia humbi me Moldavinë. Çdo ndeshje është e rëndësishme edhe kundër atyre që quhen të lehta në letër. Nëse marrim nesër barazim, kemi shpresë për kualifikim. Çdo ndeshje është finale", tha Altin Rraklli.

Kavajasi dhe edhe një mendim për punën e trajnerit Sylvinho dhe mundësitë për kalimin në finalet e "Gjermani 2024".

"Vlerësim dhe mendim për Sylvinhon? Do më duhet të pres pas këtyre dy ndeshjeve për një opinion. Një farë ndryshimi në ekip, të të qenit skuadër e shohim nga koha e Rejës.

Endërr kualifikimi apo mundësi? Me kualitetet dhe stafin që duket se punon, kemi mundësi reale. Në këto dy ndeshje do shohim nëse janë pretedimet reale. Kemi kualitete për kalimin në Euro 2024", tha Rraklli.

Veç Çekisë, kuqezinjtë luajnë të diel në "Air Albania" me Poloninë po për grupin E të Euro 2024.

Për grupin E kualifikues, Çekia me shtatë pikë mban vendin e parë pas tre ndeshjeve, ndjekur nga Shqipëria me gjashtë pikë dhe Moldavia me pesë pikë (një ndeshje më shumë). Polonia mban vendin e katërt me tre pikë dhe Ishujt Faroe në fund me një pikë.

 

Intervista e plotë