Të korruptuarit, pakt SHBA-BE:
Ktheni paratë, ju ulet dënimi 

Të korruptuarit, pakt SHBA-BE:<br />Ktheni paratë, ju ulet dënimi 
Të akuzuarit për korrupsion dhe për vepra të tjera penale do të përfitojnë ulje dënimi, deri në lirim nga burgu sipas rasteve, nëse rikthejnë paratë e korrupsionit, rikthejnë çdo produkt të veprimtarisë kriminale, dëshmojnë kundër të implikuarve të tjerë si dhe nëse pranojnë pas asnjë kundërshtim akuzat e Prokurorisë së Posaçme, duke shkurtuar procedurat gjyqësore dhe evituar diskreditimin në publik. Në Kodin e ri të Procedurës Penale, hartuar nga ekspertët e misioneve të BE-SHBA në Tiranë, ofrohet një pakt në formë amnistie, sidomos për funksionarët dhe ish-funksionarët, të cilët do të hetohen nga Byroja e Hetimit për llogari të Prokurorisë së Posaçme. Për herë të parë, në legjislacionin shqiptar futet koncepti i gjykimit me marrëveshje, e cila arrihet mes Prokurorisë dhe të pandehurit. Këta të fundit, për të përfituar zbutje dënimi, duhet të nënshkruajnë një marrëveshje, duke pranuar të gjitha parashikimet e saj.

Pikat e marrëveshjes
Shqiptarja.com zbardh pikat e marrëveshjes, ku një ndër më kryesoret parashikon që, i akuzuari duhet të pranojë konfiskimin e pasuritë së krijuar në rrugë të paligjshme. “Marrëveshja bëhet më shkrim dhe përmban: Përshkrimin e veprës penale për të cilën akuzohet i pandehuri; Deklarimet e të pandehurit që ai ka kryer veprën penale. Marrëveshje mbi konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme dhe pagesën e dëmit civil, nëse është paraqitur padi civile dhe, nëse është rasti, konfiskimin e produkteve të veprës penale. Pasuria duhet të identifikohet qartë. Marrëveshjen ndërmjet të pandehurit dhe prokurorit për heqjen dorë nga e drejta e ankimit kundër vendimit të gjykatës, me të cilin pranohet marrëveshja”, thuhet në nenin 332/2 të draftit për Kodin e Procedurës Penale.

Arritja e marrëveshjes
Në Kodin e ri thuhet se prokurori dhe i pandehuri mund të arrijnë marrëveshjen mbi kushtet për pranimin e fajësisë dhe mbi dënimin. Pakti mund të arrihet nga momenti i regjistrimit të procedimit deri në fillimin e parashtrimeve hyrëse. Nëse marrëveshja arrihet para se të dërgohet çështja në gjyq, prokurori i bashkëngjit asaj edhe kërkesën për gjykim. Ky parashikim duket se është në kuadër të një strategjisë së re të luftës kundër korrupsionit. Edhe në ligjin e Vetingut është parashikuar ndërprerja e kontrollit për gjyqtarët dhe prokurorët që japin dorëheqjen. Po për të stimuluar dorëheqjet në gjyqësor, është parashikuar mbrojtje speciale dhe kthim i parave mbrapsht për personat që denoncojnë gjyqtarët dhe prokurorët, të cilëve u kanë dhënë ryshfet, në këmbim të vendimeve në favor të tyre.

Sqarimi i ekspertëve
Ekspertët kanë sqaruar se arsyet për futjen e gjykimit me marrëveshje në këto ndryshime kanë qenë të shumëfishta. “Nga njëra anë palët e gjejnë atë në interesin e tyre dhe shpenzimet në gjyqësor ulen. Prokurori ka më shumë kohë për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve dhe autorëve të tjerë, ndërsa në të njëjtën kohë, i pandehuri konstaton se ai është në një pozitë më të mirë, duke marrë një dënim më të butë në lidhje me dënimin që do të arrihet pas gjykimit. Pavarësisht se sa e fortë mund të jetë dëshmia, në asnjë rast nuk mund t’i paraprijmë përfundimit. Për më tepër, prokurorët mund të përdorin bisedimet për pranimin e fajësisë (gjykimin me marrëveshje) për të çuar më tej çështjen e tyre kundër një bashkë-të pandehuri. Ata mund ta pranojnë një marrëveshje mbi pranimin e fajësisë nga një i pandehur në këmbim të një dëshmie dëmtuese kundër një tjetri”, thonë ekspertët.

Për kriminelët
Në fokus të konceptit të ri janë sigurisht të pandehurit për krime të ndryshe, ku palë në proces është edhe viktima. “Pranimi i fajësisë apo mos kundërshtimi i saj është më i shpejtë dhe gjithashtu tenton të marrë më pak publicitet se sa një gjykim. Por jo të gjithë viktimat do të ishin të kënaqur të shikonin se për të gjitha rastet bihet dakord. Shumë viktima janë të pakënaqur kur të pandehurit lejohen të hyjnë në bisedime për pranimin e fajësisë, duke ndjerë se dëmet që ata kanë pësuar janë shpërfillur dhe të pandehurit ja hedhin shumë lehtë. Si rezultat i përpjekjeve të grupeve të të drejtave të viktimave, ligjet në shumë shtete tani i lejojnë viktimat të kenë një rol në procesin e bisedimeve për pranimin e fajësisë. Në këtë propozim, viktimat përfshihen vetëm nëpërmjet një njoftimi se marrëveshja është arritur”, sqarojnë ekspertët.
 
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Nasrallah/ Presidenti iranian Pezeshkian viziton selinë e Hezbollahut, kryeministri i Rusisë zbarkon në Teheran

Vrasja e Nasrallah/ Presidenti iranian Pezeshkian viziton selinë e Hezbollahut, kryeministri i Rusisë zbarkon në Teheran