Pas më shumë se një muaji pushim, ligjvënësit shqiptarë do të ulen sërish në sallën e seancave plenare, të martën e 8 shtatorit në orën 17:00.
Me nisjen e sesionit të tretë të kësaj legjislature pritet të rikthehen edhe përplasjet politike mes palëve, përplasje që gjatë muajit gusht u zhvendosën në rrjetet sociale.
Punimet e këtij sesioni pritet të dominohen nga dy ngjarje kryesore, të cilat me gjasë do të jenë “ushqimi” politik i opozitës dhe mazhorancës.
Gushti u trazua nga një propozim i socialistëve për të ndryshuar hartën territoriale e për të ulur ndjeshëm numrin e bashkive, nga 61 në 46.
Propozimi i tyre u kundërshtua fort jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë komunitetet lokale të cilat preken nga shkrirja e bashkive duke zhvilluar protesta.
Mazhoranca e argumenton si një ndarje efikase që nuk do t’i largojë shërbimet nga qytetarët, ndërsa PD e cila e cilëson një reformë me qëllime tërësisht politike paralajmëron se do shkojë drejt referendumit për kundërshtimin e ndarjes së re administrativo-territoriale.
Zgjedhjet e ardhshme lokale, ato të pranverës 2027, pritet të jenë një nxitje e fortë politike për debate e përplasje të ashpra në parlament. PS duket se ka filluar përgatitjet që në ditët e para të shtatorit, duke u përpjekur të afrohet më shumë me qytetarët përmes mekanizmave si “Besa” apo “Prania Besnike”, ndërsa edhe PD siç ka deklaruar vetë Berisha, do t’i nisë përgatitjet këtë muaj.
Protesta pritet të jetë një tjetër çështje që do të zërë vend të debatet politike brenda e jashtë parlamentit.
E ashtuquajtura protesta e Flamingove, prej së cilës lindën edhe dy dokumentet strategjike të socialistëve, “Besa” e “Prania Besnike”, po shkon drejt ditës së 100-të saj. Edhe pse më të paktët në numër, organizatorët thonë se gushti ishte simbol i rezistencës, ndërsa vjeshta pritet sipas tyre të rrisë numrat në shesh me kërkesën kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Rama.










Komente
Komento