Të mbijetuarat rikujtojnë tmerret e Srebrenicës

Të mbijetuarat rikujtojnë tmerret e Srebrenicës

Foto nga varrezat e memorialit në Srebrenicë

Në korrik 1995, Devla Ajsiç ishte vetëm 21 vjeçe dhe ishte tre muaj shtatzënë. Në prag të 26 vjetorit të masakrës së Srebrenicës që shënohet të dielën, ajo thyen heshtjen për abuzimin seksual ndaj saj nga forcat serbe, të cilat morën dhe ekzekutuan të fejuarin e saj së bashku me mijëra burra dhe djem të tjerë kryesisht myslimanë, në gjenocidin e vetëm të pranuar në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Devla Ajsiç flet mes lotësh, ndërsa ecën përreth ish-kompleksit hollandez të OKB-së, ku u abuzua seksualisht mbi 25 vjet më parë.

Për dekada të tëra, zonja Ajsic nuk foli hapur për tmerret që ajo përjetoi pasi forcat serbe të Bosnjës sulmuan Srebrenicën në korrik 1995, në muajt e fundit të luftës të viteve 1992-95 në këtë vend ballkanik.

"I mbylla të gjitha brenda meje për 26 vjet dhe vuajta në heshtje", thotë tani 47-vjeçarja Ajsiç për agjencinë Associated Press, duke folur më në fund publikisht për të kaluarën e saj.

Kur forcat serbe të Bosnjës kapën Srebrenicën, e cila ishte shpallur në vitin 1993 një "strehë e sigurt" e OKB-së për civilët, rreth 30’000 banorë të saj myslimanë nxituan të tmerruar drejt kompleksit të OKB-së në hyrje të qytetit me shpresën se paqeruajtësit hollandezë do t’i mbronin.

Sidoqoftë, paqeruajtësit e paktë në numër dhe me armatim të pamjaftueshëm vështronin të pafuqishëm ndërsa forcat serbe morën rreth 2’000 burra dhe djem nga kompleksi për t’i ekzekutuar, përdhunuan gratë dhe vajzat, dhe më pas i dërguan me autobuzë gratë, fëmijët dhe të moshuarit në territorin e kontrolluar nga myslimanët boshnjakë.

Zonja Ajsiç tha se ajo u sulmua dhe u torturua seksualisht për tre ditë përpara se të dërgohej nga Srebrenica me një nga autobuzët e fundit të mbushur me refugjatë.

"Gjërat që ata më bënë... më lidhën në një tavolinë, qafa dhe gjoksi im ishin blu nga mavijosjet; unë qëndroja e zhveshur në atë tryezë", tregon ajo mes lotëve.

Zonja Ajsic thotë se ushtarët serbë e droguan, dhe se ajo nuk ishte e vetmja grua që mbahej e lidhur dhe që i nënshtrohej abuzimit të tmerrshëm. Ajo dështoi fëmijën në javën që pasoi, gjatë së cilës serbët e Bosnjës vranë mbi 8’000 burra dhe djem kryesisht myslimanë të Srebrenicës.

Shumica e viktimave u ndoqën dhe u ekzekutuan ndërsa përpiqeshin të largoheshin në pyllin aty pranë.

Trupat e tyre u hodhën në varre masive të gërrmuara me nxitim dhe më pas u nxorën me buldozerë dhe u shpërndanë në varreza të tjera për të fshehur provat e krimit.

Deri më tani, eshtrat e më shumë se 6’600 njerëzve janë zhvarrosur nga varret masive, janë identifikuar nga analiza mjekoligjore dhe janë rivarrosur në këtë vend.

Eshtrat e 19 viktimave të tjera do të prehen atje këtë të dielë.

Munira Subasic humbi burrin e saj, djalin dhe 22 të afërm të tjerë meshkuj në këtë masakër.

Ajo, së bashku me dhjetëra të tjerë dëshmuan përpara një gjykate speciale të OKB-së për krimet e luftës në Hagë për të ndjekur penalisht krimet e kryera gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990 që pasuan shpërbërjen e ish Jugosllavisë, duke ndihmuar vendosjen pas hekurave të liderëve politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës gjatë luftës: Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të dy të gjetur fajtorë për gjenocid dhe krime lufte dhe të dënuar me burgim të përjetshëm.

“Duhet të luftojmë për të vërtetën dhe drejtësinë në mënyrë që të parandalojmë infektimin nga urrejtja dhe hakmarrja e brezave të ardhshëm (në Ballkan)”, thotë zonja Subasiç.

Megjithëse masakra e Srebrenicës u quajt gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe vendase, zyrtarët serbë dhe serbët e Bosnjës ende i minimizojnë ose i mohojnë krimet.

Për shumë gra të Srebrenicës, qartësimi i të vërtetës historike për atë që ndodhi me burrat e tyre është bërë qëllimi i jetës së tyre./ VOA

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë