Tiranë - Një sherr i mundshëm mes disa të miturve (13-17 vjeç) është parandaluar këtë të mërkurë nga blutë e kryeqytetit në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Sipas informacioneve të miturit të ndarë në grupe dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin në zonën e Kombinatit, rruga “Llambi Bonata”.

Gjatë kotrollit fizik disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.  

Ndërkohë pas marrjes në pyetje në prani të prindëve dhe psikologëve, policia ka nisur hetimet për 28 të rinjtë.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, në Kombinat, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit.

Në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.    

Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.    

Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç", njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.