Ministri i Brendshëm Ervin Demo shprehu shqetësim për përfshirjen e të miturve në protestat e dhunshme. Deri më tani janë shoqëruar 269 të mitur.
“Të miturit janë përdorur nga organizatorë, të cilët i kanë vënë ata në vijën e parë të sulmit, në vijën e parë të dhunës, dhe duke qëndruar vetë pas këtyre të miturve. Shifrat e shoqërimit tregojnë po ashtu qartazi që numri i të miturve që ka marrë pjesë në protestë është shumë shqetësues. Janë 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç. Kjo tregon më së mirin, sfidën e madhe që ne kemi, ndërinstitucionale, për të adresuar këtë fenomen shqetësues. E këtu unë flas për sa i përket rolit që do të ketë shkolla, Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë, për të adresuar një plagë që në fakt është një fenomen, që ne duhet t'i japim përgjigjen e duhur për ta parandaluar në burim. Nuk është zgjidhje, patjetër, veprimet e Policisë së Shtetit për sa i përket ndalimeve që ne bëjmë për të miturit, por sidomos për të miturit ne duhet të gjejmë rrugën e duhur, kanalet e komunikimit të duhura dhe mbështetjen e duhur për familjet dhe për vetë të miturit që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i këtyre javëve të fundit.”, tha Demo.
Lajmi kryesor:
Protestat e dhunshme, Demo: 347 të lënduar, prej tyre 201 policë! U përdorën të miturit, 269 të shoqëruar! Kemi identifikuar ‘maskat’, së shpejti kamera trupi për efektivët










