Të miturit dhe adoleshentët janë në shënjestër të grupeve kriminale, pasi joshen nga jeta e luksit e reklamuar në rrjetet sociale. Ky fenomen, jo vetëm shqiptar, ka bërë që OSBE dhe qeveria shqiptare të bashkojnë forcat për një fushatë sensiblizuese me moton “s’ka shkurt”.
“Presioni mbi të rinjtë është jashtëzakonisht i madh nga modelet e gabuara, nga modelet e gabuara në këtë vend ku reklamojnë pasurimin e shpejtë përmes rrugës së shkurtër”,- tha Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë.
“Po vërejmë se të rinjtë po përfshihen në veprimtari kriminale në moshë gjithnjë e më të re. Rrjetet sociale janë shndërruar në një mjet kyç në këtë proces. Ato përdoren për të idealizuar stilin e jetës kriminale, për të normalizuar dhunën dhe për të promovuar premtime të rreme, para të shpejta, status dhe ndjenjë përkatësie”,- deklaroi Michel Tarran, Ambasador i OSBE-së.
Fushata synon që përmes rrëfimeve të atyre që e kanë pësuar dhe vuajnë pasojat e përfshirjes në veprimtari kriminale, ose përmes dëshmive të atyre që kanë begatuar përmes punës, të bindë të rinjtë të mos bie pre e kurtheve.
“Ttë shtrëngojnë dhëmbët, të punojnë fort, të mos bëjnë kompromis me vlerat e tyre më fundamentale dhe të refuzojnë modelet e gabuara dhe bashkë me to edhe sjelljet e paligjshme, përfshirjen në kriminalitet apo t'i bëhen barrë tjetrit. Një herë, dy herë mund të shpëtosh. Por me fatin dhe me jetën nuk mund të luhet bixhoz, sepse nuk ndikoheni vetëm ju, ndikohen edhe familjet tuaja”,- tha Lamallari.
“Krijimi i një kundër-narrative të besueshme është i rëndësishëm. Fushatat e maskojnë premtimet e rreme, vënë në pah kostot reale të përfshirjes në krim dhe tregojnë se suksesi ndërtohet përmes përpjekjes, këmbënguljes dhe integritetit. Jo përmes rrugëve të shkurtra”,- deklaroi Tarran.
Rrjetet sociale janë arma më e fortë e kësaj fushate, për të promovuar ata që përmes përkushtimit ia dalin, dhe për të dëshmuar se pas luksit të shpejtë, vjen dera e burgut.
Komente











