Nga Tirana mund të udhetoni drejt drejt Korçës përmes rruges Tiranë–Elbasan–Gramsh–Moglicë–Lozhan–MaliqKorçë. Distanca totale është 210 kilometra, ndërsa koha e udhëtimit llogaritet mesatarisht 4-5 orë. Nga Tirana ne Elbasan eshte autostrade, me tej drejt Gramshit vijon rruga kombetare pa problematika. Ndersa pjesa më e vështirë e itinerarit nis nga Gramshi drejt Moglicës dhe Lozhanit.

Ky është segment malor, me kthesa të forta, pjerrësi dhe ngushtica. Gjatë dimrit ka rrezik për ngrica, çka e bën qarkullimin më të vështirë. Nga Maliqi drejt Korçës, terreni bëhet fushor dhe drejtimi i mjetit më i lehtë. Policia rekomandon kujdes të shtuar, pasi në disa pjesë rruga ka pesuar demtime dhe ka vetem nje korsi.

Për udhëtarët rrugët alternative janë kthyer në stres. Disa prej tyre të cilët I takuam ne terminalin lindor të Tiranës thanë për Report Tv se rruga e Gramshit është jashtë çdo lloj standarti.

“Si më shkoj rruga?! Si mos më keq. 6-7 orë dhe mezi arritëm. Nuk e bëj çdo ditë sot ishte hera e parë. Nuk e di taman rrugën nga erdhëm, por nga Gramshi. Maliqi-Plozhan dhe më pas Moglicë. Rrugë mali shumë e keqe, copë-copë, pa standarte e mbuluar me ujë.”

 “Rruga pasi kalon Pogradecin është e prishur, e prishur. Shumë vonon ajo rrugë për të ardhur.”

Një tjetër alternativë për të shmangur segmentin e bllokuar është devijimi në Librazhd. Itinerari nis nga Tirana drejt Elbasanit dhe më pas vijon drejt Librazhdit deri në afërsi të fshatit Dragostunjë.

Aty ku ka ndodhur shembja drejtuesit e mjeteve devijojnë nga aksi kryesor dhe ngjiten në kete rrugë malore që kalon përmes fshatit Spathar, drejt Dardhës. Kjo eshte rruge fshati tejet e veshtire, me cakull, me kthesa të forta, pjerrësi, ku qarkullimi kërkon kujdes maksimal. Pas kalimit të zonës malore, zbritja bëhet në Hotolisht, ku automjetet lidhen sërish me rrugën nacionale dhe vijojnë drejt Përrenjasit, Pogradecit e Korçës.

Një rruge alternative për të udhëtuar nga Tirana drejt Korçës është aksi jugor që kalon përmes Durrësit, Fierit, Tepelenës dhe më pas vijon në drejtim të Këlcyrës, Përmetit, Leskovikut, Ersekës dhe Korçës.

Nga Tirana deri tek Ura e Leklit ne Tepelene, distanca është rreth 220 kilometra. Ndersa, nga ura e Leklit, itinerari vijon përmes Këlcyrës, Përmetit, Çarçovës, Leskovikut dhe Ersekës për të mbërritur në Korçë. Ky segment është i veshtire me kthesa te forta dhe malore.

“Kaos total! Kjo është e rrugë e gjatë, ka shpenzime dhe mundim. Është rrit kostoja për biznesin”, tha një drejtues mjeti, teksa i bën thirrje shtetit të ndërhyjë sa më shpejt.

Distanca totale nga Tirana deri në Korçë përmes këtij aksi arrin në 360 kilometra, ndërsa koha e plotë e udhëtimit shkon në 8 orë, në varësi të trafikut dhe kushteve te motit.

Autoritetet bëjnë me dije se aksi ka fluks normal, megjithatë problematika kryesore lidhet me mjetet e tonazhit të rëndë. Dy urat historike në këtë segment, ajo e Dragotit dhe e Leklit, të ndërtuara në vitin 1936, kanë kapacitet deri në 20 tonë. Për këtë arsye, është kërkuar vendosja e postblloqeve për të ndaluar kalimin e trajlerave.

Ky itinerar mbetet aktualisht një nga alternativat kryesore për të lidhur kryeqytetin me juglindjen e vendit, megjithëse me kosto më të lartë dhe dyfshin e kohes krahasuar me rrugën që u shemb dhe që është jashte funksionit prej 4 ditësh.