TIRANE- Ish të burgosurit politikë 2 vite pas grevë së urisë, padisin në Prokurori deputetin demokrat Sali Berisha, që në atë kohë ishte kryeministër dhe zinxhirin drejtues të uniformave blu gjatë qeverisjes së djathtë. Ndër të paditurit janë ish-ministri Noka, ish drejtori policisë, Hysni Burgaj dhe ish nën-drejtori i policisë Tiranë Erzen Brencai.

Sipas kreut të shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, Skënder Tufa këta të fundit kanë dhunuar të ish-burgosurit politikë në të drejtën e tyre për të zhvilluar një grevë normale. Po ashtu Tufa deklaroi se këtë kallëzim Shoqata e ish të Burgosurve politikë ka pritur për dy vitë të bëhej nga Avokati i Popullit, por kjo gjë s’ka ndodhur.

Konkretisht, kallëzimi penal i referohet veprimeve të policisë gjatë grevës të tetorit të vitit 2012, të zhvilluar në ambjent të hapur në Komunën e Parisit, në ato që u quajtën si çadrat e urisë. Sipas Tufës, Berisha dhe drejtuesit e policisë që sipas tij dirigjoheshin nga ish-kryeministri, duhet të dënohen për presionin ndaj grevistëve dhe për faktin që kanë hyrë në çadrat e urisë duke i marrë ujin dhe ilaçet ish-të burgosurve që ishin bërë pjesë e asaj greve.
 
“Çdo diktaturë duhet të ndëshkohet, në mënyrë që të mos përsëritet”, thotë Tufa për A1 REPORT.