SPECIALE/ Të prekësh fundin pasi ia ke kushtuar të gjithë jetën, baxhot po ‘zhdukin’ blegtorinë në Vlorë

Prej 33 vitesh del të kullosë në stanet e fshati Panaja 150 krerë të bagëtisë së tij. Shpresa e fitimit nga puna në blegtori e bëri Sandri Bendajn që të punësojë edhe një çoban e të marrë toka me qira.

Duket sikur gjithçka po shkon mbarë për të. Por realiteti është ndryshe për familjen Bendaj.

“Ka shumë kosto. Unë se përballoj dot.”- tha Bendaj.

Nuk i vjen mirë blegtorit Bendaj që duan ta detyrojnë ta shesë lirë mundin e të gjithë familjes. Të ardhurat nga qumështi janë burimi i vetëm i jetësës për ta.

Historitë e frikës së dështimit dhe humbjeve financiare i dëgjon ngado ku familjet krahinës së Vlorës mbahen në këmbë nga sektori i blegtorisë.

Vigjilent Ismailaj nga fshati Akerni, nga 500 krerë dele sot ka vetëm 300 të tillë.

Edhe këto duket se do të shiten pasi as kjo familje nuk mund ta mbajë gjallë blegtorinë me çmimin që i është ofruar për blerjen e qumështit.

Pranojnë të humbasin gjithçka vetëm që të mos ndjehen të grabitur. Në një zë me blegtorët e Njësisë administrative Novoselë janë edhe blegtorët e Krahinës së Lumit të Vlorës.

Organizim, planifikim, orientim! Asnjëra prej këtyre duket se nuk funksionon për blegtorët e kësaj krahine.

Një javë pasi festuan ndërrimin e viteve, me dhjetëra blegtorë dolën në protestë për çmimin e qumështit. Ata thanë se sakrifikojnë çdo ditë me bagëtitë ndërsa grumbulluesit e qumështit kanë vendosur të ulin çmimin me gati 40% të vlerës.

Edhe pse produktet e bulmetit nuk kanë pësuar rënie të çmimit, baxhot në unanimitet kanë vendosur që qumështin ta marrin me 120 lekë, nga 180 që ka qenë deri në dhjetor. Blegtorët thonë se ky çmim nuk i mbulon kostot e shpenzimeve të tyre e as nuk justifikon punën e bërë. Dhjetëra banorë të cilët jetojnë e punojnë me bagëti u mblodhën në fshatin Kot për të përçuar mesazhin e përbashkët se nuk do të dorëzojnë asnjë litër qumësht me këtë çmim.

Krahina e Lumit të Vlorës e ka të përqendruar aktivitetin në blegtori. Por të rinjtë refuzojnë të ndjekin më të vjetrit e familjes nëse e ardhmja e blegtorëve duket me humbje. Atyre iu bashkuan edhe blegtorët e zonës së Novoselës.

76-vjeçari Serri Alliu sot ka 150 krerë bagëti së bashku me djalin e tij.

“Shpenzimet janë të mëdha, janë në majë, vështirësitë janë në majë dhe hesapi nuk ngelet. Me këtë çmim fatkeqësi e madhe mos të themi që ta derdhim, por do gjejmë mënyrën ta zhdukim fare blegtorinë se nuk na dalin krahët, nuk ushqehemi dot”,- tha Alliu.

Ai ka parë ndër vite rrjedhjen e sektorit të blegtorisë dhe sot është më e rrezikuar se kurrë, paralajmëron 76 vjeçari.

Pas protestave, 70 blegtorë e përpunues qumështi të zonës Armen, Vlorë u takuan me zv.ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari. Në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga vetë institucioni thuhet se numri dy i ministrisë ka sugjeruar bashkëpunimin.

“Që blegtorët tanë të mos kenë pasoja në asnjë hallkë të zinxhirit të prodhuesve të produktit ushqimor, sugjeruam bashkëpunim midis blegtorëve dhe përpunuesve të zonës duke i informuar edhe mbi Skemën mbështetëse të këtij viti dhe dobitë që sjell bashkimi i operatorëve për t’u bërë faktor në treg”, u shpreh zëvendësministri.

Vitet e fundit, subvencionet në bujqësi e kanë ndihmuar disi fermerin dhe blegtorin shqiptar për të kaluar vështirësitë që hasin në përditshmëri, por kjo nuk ka qenë zgjidhje për problemet e tyre.

Blegtoria është puna e jetës për banorët e fshatrave të Vlorës. Sot janë të gatshëm të shkelin rrugë të panjohura për ta, mjaft që të jetë fillim i ri, pasi me gjithçka që po përjetojnë, thonë se kanë prekur fundin.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • niku: 24/01/2024 13:44

    cmimi eshte i ulet, sepse fabrikat e perunimit perdorin kimikate dhe kane nevoje per me pak lende te pare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Do keni ndjesinë se diçka mungon, por në realitet gjithçka po shkon mirë, horoskopi për sot

Do keni ndjesinë se diçka mungon, por në realitet gjithçka po shkon mirë, horoskopi për sot