Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, apo ndonjëri nga ministrat mund të kenë qenë viktima të Halil Sopit, shoferit të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Derisa ka shoqëruar ministrin Beqaj, i cili është takuar me kryeministrin Thaçi, shoferit Sopi i ka shkrepur pistoleta disa hapa larg nga zyra e shefit të qeverisë.
Krisma nga arma në fjalë, që ka shqetësuar të gjithë bashkëpunëtorët e shefit të qeverisë, ka obliguar policët kujdestarë pranë kabinetit të kryeministrit që rastin menjëherë ta paraqesin në Policinë e Kosovës.
Burime të afërta me kabinetin e kryeministrit tregojnë se shkrepja e armës në afërsi të zyrës së kryeministrit ka ndezur një debat të nxehtë në mes të dy zyrtarëve të lartë në Policinë e Kosovës, të cilët kanë pasur qëndrime të ndryshme rreth asaj se çfarë të bëjnë me shoferin e ministrit.
“Menjëherë është paraqitur rasti në polici, pastaj kanë nisur bisedimet në mes të Shaban Shalës, që është shef i Departamentit të Njësive të Specializuara dhe shefit të operativës Enver Bimbashi. Njëri ka qenë kundër që polici të arrestohet dhe tjetri pro. E, në fund polici është dërguar në Qendrën e paraburgimit në Prishtinë”, ka thënë ky zyrtar që ka folur në kushte anonimiteti.
Ai ka sqaruar se nga tërë kjo “lojë” më i dëmtuari është zyrtari i Policisë së Kosovës, Ilmi Kqiku, i cili është pushuar pas incidentit.
“Pas kësaj që ka ndodhur është pushuar kapiten Ilmi Kqiku, që është shef i sigurisë në qeveri dhe kuvend. Ai në fakt nuk ka pasur asnjë faj për këtë, sepse, me rregullore të brendshme të qeverisë as policët dhe as truprojat e shoferët e ministrave nuk kanë të drejtë të hyjnë në institucione me armë, por askush nuk e respekton këtë”, thotë burimi.
Hyrja e shoferit Sopi në institucione me armë përbën shkelje të rëndë ligjore, vlerësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë. Në fakt, përdorimi i armëve brenda institucioneve është e ndaluar me rregullore të brendshme të qeverisë, qoftë edhe për policët e Policisë së Kosovës.
Fitim Krasniqi, sekretar i përhershëm në Kryeministri, thotë se hyrja me armë në qeveri është vepër e ndaluar, prandaj, sipas tij, te hyrja e qeverisë ekzistojnë kutitë e posaçme ku duhet të dorëzohen armët nga përdoruesit e tyre.
“Unë sinqerisht nuk kam asnjë informatë të tillë (për shpërthimin e armës), pra është hera e parë që po dëgjoj. Zyrtari i sigurimit kur të hyjë në qeveri duhet t’i dorëzojë armët. Janë kutitë speciale aty që dorëzohen, e pastaj kur të dalë mund t’i marrë”, thotë Krasniqi, duke shtuar se hyrja me armë në qeveri është shkelje e rregullores së brendshme.
Incidentin pranë kabinetit të kryeministrit e ka konfirmuar edhe Gëzim Baxhaku, këshilltar për medie i ministrit për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj. “Bëhet fjalë për shkrepje pa dashje të armës zyrtare të shoferit të ministrit, të cilën ai e ka me leje nga organet kompetente. Ai është marrë në bisedë në polici, ka dhënë deklaratën dhe nuk është mbajtur në paraburgim”, thotë Baxhaku.
Ndërkaq, i pyetur se si ka mundësi që shoferi të ketë hyrë në qeveri i armatosur, meqenëse kjo është e ndaluar dhe se ai duhet të kontrollohet nga policët në hyrje të godinës së qeverisë, ai ka thënë se “shoferi e ka përcjellë ministrin deri te kabineti i kryeministrit dhe se ka hyrë në hyrjen zyrtare ku hyjnë ministrat dhe truprojat e tyre”.
Sipas tij, pas incidentit në fjalë ministri Beqaj e ka pushuar shoferin Halil Sopi dhe është hapur procedurë disiplinore ndaj tij.