Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e 23 prillit në Kurbin, pranë qytetit të Laçit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një karburanti, ku është qëlluar në drejtim të një automjeti tip Audi me të cilin po lëvizte Mentor Nikolli.
Fatmirësisht, ai nuk ka pësuar lëndime, pasi plumbat nuk e kanë prekur, ndërsa policia bën me dije se janë identifikuar tre autorët e dyshuar të ngjarjes: Pren Gjoka dhe dy djemtë e tij, Henrik dhe Paris Gjoka. Dyshohet se njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit.
Të tre personat janë shpallur në kërkim, ndërsa uniformat blu po vijojnë punën për kapjen e tyre. Sipas burimeve policore nga veprimet e kryera, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta mes të afërmve të autorëve dhe Mentor Nikollit, çka ka çuar më pas në përdorimin e armëve të zjarrit.
"Rreth orës 18:55, në afërsi të hyrjes së qytetit të Laçit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi M. N. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.
Nga veprimet e shpejta janë identifikuar autorët e dyshuar: shtetasi P. Gj. dhe dy djemtë e tij, shtetasit H. Gj. dhe P. Gj. (njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit), ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e tyre", njofton Policia.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.
Komente











