Rikthehet terrori në Vlorë. Dy ditë pas atentatit në lungomare ndaj Inez Hajrullës pasditen e së dielës është regjistruar një tjetër ngjarje. Në autostradën Vlorë-Fier në Novoselë te ura e Mifolit është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një makine tip 'Golf', që drejtohej nga Romarjo Aliraj, i cili ishte objektiv i atentatit.

Ai ka qenë duke udhëtuar nga Vlora në drejtim të Fierit në momentin që një makinë po e ndiqte, ndërsa e ka qëlluar me breshëri. Makina është bërë shoshë nga kallashnikovi, por fatmirësisht Aliraj ka shpëtuar pa asnjë plagë nga plumbat, ndërsa ka marrë dëmtime të lehta pas daljes së makinës nga rruga, pasi 33-vjeçari humbi kontrollin duke përfunduar në një arë.

Report Tv sjell foton e të riut dhe pamjet e makinës me targa AA 864 SV, e cila i ka të dyja dyert e hapura duke krijuar dyshimet se në automjet mund të kenë qenë edhe një tjetër person, që mund të jetë larguar. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia dhe ambulanca, ndërsa i plagosuri u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi nuk e ka kapur asnjë plumb.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:40
Atentati në Vlorë, vjen reagimi i parë nga policia: Të riun nuk e kapën plumbat


Pas atentatit në Vlorë ka ardhur reagimi i parë nga policia e qytetit bregdetar. Policia njofton se Romarjo Aliraj ka plagë të lehta, jo nga plumbat, por nga dalja e makinës nga rruga, që përfundoi në një arë.

"Në vendin e quajtur "Ura e Mifolit" Novoselë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi R.A., 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga duke pësuar lëndime të lehta. Nuk ka të lënduar me armë zjarri.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet në lidhje me zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave. Po punohet nëpërmjet kontrollit të territorit dhe veprimeve të tjera hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve" deklaron policia.

Ora 19:35
Del fotoja e të riut që iu bë atentat në Vlorë


Zbulohet fotoja e Romarjo Alirajt, të riut që ishte objektiv i atentatit pasditen e sotme në Vlorë, që shpëtoi për mrekulli, pasi makina u qëllua me breshëri kallashnikovi

Ora 19:16
FOTO-ja e makinës në Vlorë, ja si është bërë shoshë nga plumbat

Report Tv sjell pamjet e makinës tip 'Golf' në Vlorë që u qëllua me breshëri kallashnikovi, ndërsa objektiv ishte Romarjo Aliraj.

Ora 19:13
Atentati në Vlorë/ Zbulohet emri i shënjestrës

Report Tv zbulon emrin e drejtuesit të makinës që u qëllua me breshëri kallashnikovi në Vlorë. Ai është Romarjo Aliraj, ndërsa është plagosur nga breshëria.