TIRANË- 4 janari ka shënuar viktimën e parë për vitin 2022 si rezultat i një vrasjeje kriminale. Shënjestër e këtij atentati mafioz mendohet të ketë qenë Blerim Çela, 28-vjeç, por viktimë e breshërisë së plumbave të kallashnikovit ka mbetur vëllai i tij, 35-vjeçari Erion Çela nga Dibra, i njohur edhe me emrin Adriatik Çela, si edhe 4 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Që do të thotë, përveç Çelës, i cili ka marrë plagë në këmbë dhe në fytyrë, kanë mbetur të plagosur edhe Edmond Crroj 41 vjeç, daja i viktimës, Azbi Selimaj 19 vjeç kamarier i lokalit i cili ka marrë plagë në shpatull dhe  Arben Dani 46 vjeç i dëmtuar në këmbë.

Si ndodhi ngjarja?
Report Tv me gazetarin Sokol Dema, i cili ka ndjekur hap pas hapi ngjarjen, ka arritur të mësojë se viktima me 4 të plagosurit ishin duke konsumuar një kafe në lokalin 'New Focus Lounge' në zonën e 'Don Boskos' në Tiranë. Rreth orës 16:15, autorët që dyshohet se kanë qenë 3, kanë ardhur nga spitali i Traumës drejt lokalit me një makinë tip Mercedez Benz E-Class me targa AA 125 UK i zi, të cilat dyshohet se i janë vjedhur një Smart-i. Ato kanë qëlluar nga makina në lëvizje me breshëri kallashnikovi në drejtim të tavolinës ku ishte ulur viktima dhe personat e tjerë dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ato kanë kthyer makinën në atë zonë dhe janë larguar po në drejtim të Traumës, andej dhe nga erdhën.  Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat.

Kush është viktima dhe personat e plagosur?
Viktimë e këtij atentati ka mbetur  Erion Çela, i njohur edhe me emrin Adriatik Çela, por nga sa mësohet ai nuk rezulton të jetë një person me precedent penal. 35-vjeçari do të bëhej së shpejti babi i një vajze. Çela është pronar i një tabakino (dyqan cigaresh) që e kishte hapur vetëm 6 muaj më parë. Nga sa mësohet, ai ulej gjithmonë në tavolinën afër xhamit, në mënyrë që të kishte mundësi për të parë nga dyqani i i tij. Shënjestra mendohet se ka qenë Blerim Çela, 28-vjeç, por nuk ka të dhëna mbi të shkuarën e tij që mund të ndihmonin edhe në zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga ana tjetër, i plagosur ka mbetur edhe Edmond Crroj 41 vjeç, daja i viktimës, një person me precedent penal për trafik droge në Itali. Mes të plagosurve është edhe një 19-vjeçar, Azbi Selimaj, i cili ishte kamarier, por që në momentin e atentatit ka qenë i ulur në tavolinë me viktimën. 

Hetimet
Pista kryesore e hetimeve është aktiviteti kriminal i mëparshëm i viktimës si edhe të plagosurve, jashtë vendit pasi në Shqipëri rezultojnë pa precedent penal. Personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë biznese aty pranë, teksa njëri prej tyre kishte dhe shtëpinë pranë vend ngjarjes. Në lokal ka kamera sigurie, ç'ka shton edhe shpresat e hetuesve që mund t'i ndihmojnë në identifikimin e autorëve. Sakaq, ngjarja ka shokuar klientët në lokal si edhe banorët aty përreth, pasi është një zonë mjaft e populluar e kryeqytetit.  

Bilanci i atentatit në 'Don Bosko'
Viktima
Erion Çela 35-vjeç (me emër të ndryshuar Adriatik Çela)
Të plagosur
Blerim Çela 28 vjeç i dëmtuar në këmbën e djathtë dhe në fytyrë, vëllai i viktimës (shenjestra e atentatit)
Arben Dani 46 vjeç i dëmtuar në këmbë
Azbi Selimaj 19 vjeç i dëmtuar në shpatull (kamarieri)
Edmond Crroj 41 vjeç, i plagosur në bark dhe këmbë (daja i viktimës)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:06
I shtrirë në tokë mes karrigeve të lokalit, del fotoja e viktimës së atentatit mafioz në 'Don Bosko'

1641327475_61d4ab1c89eabtrupiiviktimestedonbosko.jpeg

Report Tv ka siguruar foton e të riut Erion Çela i cili mbeti viktimë e atentatit me armë zjarri pasditen e sotme në zonën e Don Boskos në Tiranë. Siç shihet në foton e siguruar viktima duket i shtrirë në tokë brenda lokalit ku u qëllua me armë zjarri.

Ora 18:13
Do të bëhej shumë shpejt babai i një vajze, por 35-vjeçari u ekzekutua sot me breshëri plumbash kallashnikovi

35-vjeçari Erion Çela, të cilit plumbat e kallashnikovit i morën jetën, do të bëhej shumë shpejt baba. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema raporton se bashkëshortja e viktimës, Erion Çela, është shtatëzanë dhe pret një vajzë. Çela mbeti i vrarë nga atentati i mbrëmjes së sotme në 'Don Bosko' në Tiranë, ku ishte i ulur në një lokal së bashku me të afërm të tij, të cilët kanë mbetur të plagosur. 

Ora 18:12
Vrasja në 'Don Bosko', zbulohet kush ka qenë shënjestra e atentatit! I plagosur edhe daja i viktimës, në hetim për trafik droge në Itali

1641316417_donbosko.jpg

Report Tv ka mësuar se shenjestra e atentatit ka qenë Blerim Çela, vëllai i viktkës Erion Çela. Nga ana tjetër, mësohet se i plagosur ka mbetur edhe Edmond Crroj, daja i viktimës, i cili rezulton me precedent penal për drogë në Itali.

Ora 17:24
Vrasja në 'Don Bosko', zbardhet identiteti i viktimës! Mes të plagosurve edhe vëllai i tij, po pinin kafe

 

Zbardhet identiteti i viktimës si pasojë e atentatit në 'Don Bosko'. 

I vrarë me armë zjarri është Erion Çela, e ndërsa janë plagosur  Arben Dani 46 vjec i dëmtuar në këmbë, Azbi Selimaj 19 vjec i dëmtuar në shpatull.

Blerim Çela 28 vjec i dëmtuar në këmbën e djathtë dhe në fytyrë, vëllai i viktimës. I plagosur në bark dhe këmbë Edmond Crroj 41 vjeç

Ora 17:22
Policia jep njoftim zyrtar për vrasjen në 'Don Bosko', 4 të plagosur dhe 1 viktimë

1641312841_donbosko2.jpg

Policia jep njoftim zyrtar për vrasjen në 'Don Bosko'.

"Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 04.01.2022, rreth orës 16:15, në "Don Bosko", në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas.

Si pasojë e të shtënave, shtetasi E. Ç., 35 vjeç ka humbur jetën,  dhe janë plagosur shtetasit A. D., 46 vjeç, A. S., 19 vjeç, B. Ç., 28 vjeç dhe E. C., 41 vjeç. 

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip "Mercedes-Benz".

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes", njofton Policia. 

Ora 17:14
Vrasja në Don Bosko, 3 autorët u larguan me një Benz me targa të vjedhura të një Smart-i!

 

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati mafioz në 'Don Bosko'. Mësohet se makina me të cilën janë larguar autorët është Mercedez Benz  E Class me AA 125 UK i zi, të cilat dyshohet se i janë vjedhur një Smart-i. Në makinë kanë qenë 3 persona, bëjnë me dije burimet për Report Tv.

Ora 17:11
Plumba në bark dhe këmbë, 3 të plagosurit në 'Don Bosko' në gjendje të rëndë

1641312841_donbosko2.jpg

Report TV ka mësuar se gjendja e tre të plagosurve nga të shtënat me armë në 'Don Bosko' janë në gjendje të rëndë. Nga sa mësohet ato i janë nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, pasi kanë marrë plumba në bark dhe këmbë duke rrezikuar për jetën. 

 

 

Ora 17:05
Vrasja në Tiranë, policia ngre pika kontrolli në Elbasan për të kapur autorët

 

Policia e Elbasanit ngre postoblloqe në dalje të autostradës Tiranë-Elbasan për kontroll për autorët e dyshuar për ngjarjen në kryeqytet. Sipas burimeve dyshohet se autorët kanë lëvizur me një mjet tip ‘Benz’ të zi. Një person ndërroi jetë nga të shtënat me armë ndërsa tre të tjerë u plagosën.

Ora 17:04
Vrasja në 'Don Bosko', momenti kur ambulanca merr të plagosurit (VIDEO)

 

Report Tv ka siguruar pamje nga zona e 'Don Boskos' ku u vra me armë zjarri një person ndërsa u plagosën tre të tjerë pas një sherri për motive ende të paqarta. Siç shihet në pamjet e siguruara nga Report Tv, ambulanca po merr një nga të plagosurit.

Ora 16:58
'Skenë krimi'...pamje nga vendi i ngjarjes ku u vra 1 person dhe 2 të tjerë mbetën të plagosur! Autorët largohen me 'Benz' të zi

 

Report Tv sjell pamje nga vendi i ngjarje, pranë një lokali ku pas një sherri u vra me armë zjarri një person, e ndërsa 2 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Siç shihet edhe në pamje, forca të shumta policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, e ndërsa zona është rrethuar me shiritin 'skenë krimi'. Nga ana tjetër, mësohet se autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një 'Benz' të zi!