ELBASAN-Tre persona, dy nga të cilët me armë zjarri janë plagosur pasditen e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20 në lokalin C'est La Vie pranë Pallatit të Sportit. Report Tv sjell pamjet nga vendi i ngjarjes ku u gjetën 11 gëzhoja. Të plagosur me armë zjarri në këmbë kanë mbetur Mihal Kocashi dhe Astrit Cërriku, pronari i barit te Turizmi, që ndodhet në gjendje më të rëndë pasi ka marrë 6 plumba dhe do të transportohet në Tiranë, ndërsa Fezi Ago mori plagë të lehta në sy si pasojë e goditjes me qytën e armës.

Të plagosurit kanë lidhje fisnore mes tyre dhe sipas policisë janë jashtë rrezikut për jetën në spital. Ende nuk dihen motivet e përplasjes, por dyshohet për çështje borxhesh. Ndërkohë që po punohet për kapjen e autorëve, njëri nga të cilët është Gent Faqja i dënuar më parë për vrasje.

Por si ndodhi ngjarja? Sipas informacioneve nga grupit hetimor, tre të plagosurit dhe autorët kanë qenë ulur në një tavolinë në lokal. Pas sherrit, njëri prej autorëve shkoi në shtëpi dhe mori armën e zjarrit tip kallashnikov dhe u rikthye duke i qëlluar. Fatmirësisht plumbat që u zbrazën nga arma e autorit nuk kanë kapur persona të tjerë që kanë qenë në lokal në atë moment.

Pas breshërisë me kallashnikov mbi tre personat që ishin në tavolinë autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit duke shoqëruar disa dëshmitarë për t'i marrë në pyetje me ngjarjen, mes tyre kamarierët e barit.

Sipas burimeve të Report Tv pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja ka fshehur pamjet e kamerave të sigurisë. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po punohet për kapjen e tyre. Elbasani ka qenë gjithmonë një qytet problematik përsa i përket përplasjes së grupeve kriminale.

1564762372_plagosjeelbasan1.jpg

Foto nga vendi i ngjarjes