FUSHE KRUJE-Mbrëmjen e sotme xhaxhai ka vrarë nipin me armë zjarri pistoletë duke e qëlluar 5 herë në derën e shtëpisë pas një konflikti që e kishte zanafillën dy javë më parë. Viktima është Julian Halili 41-vjeç. Ai u qëllua për vdekje rreth orës 18:00 nga xhaxhai i tij Shkëlqim Halili 50-vjeç në fshatin Halil. Report Tv sjell pamjet nga vendi i ngjarjes. 

Viktima është baba i dy fëmijëve të mitur dhe njihej si njeri i qetë, jo problematik. Sipas banorëve të fshatit, xhaxhai dhe nipi, që banonin shumë pranë njëri tjetrit në fshat, dy javë më parë kishte pasur një konflikt, që agravoi dhe mbrëmjen e sotme 50-vjeçari mori armën dhe shkoi e vrau në pragun e shtëpisë.

Xhaxhai vrasës pas ngjarjes u arratis i armatosur me pistoletë dhe kallashnikov, por liria zgjati vetëm pak minuta, rreth një orë, pasi u prangos nga policia që e rrethoi. Autori është kapur në një banesë të familjeve rome në fshatin Halil.