Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në Mirditë. Rreth orës 07:10, në fshatin Shkorrët, përgjatë rrugës Reps–Spaç, është gjetur i vrarë me armë zjarri një person brenda automjetit me të cilin po udhëtonte. Viktima është identifikuar si Valter Lleshi, rreth 45 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake, ai është gjetur pa shenja jete në një automjet tip Toyota. Lleshi është punonjës i kompanisë së bazaltit në Spaç. Në muajin mars, makinerisë së tonazhit të rëndë të kompanisë që Lleshi e drejtonte, iu vendos tritol, por që nuk arriti të shpërthente.
45-vjeçari është qëlluar me breshëri plumbash automatiku teksa po shkonte në punë, duke pësuar lëndime të shumta që i kanë shkaktuar vdekjen. Në vendngjarje janë gjetur 18 gëzhoja, ndërsa viktima është gjetur nga një punëtor brenda në makinë, i cili po ashtu po shkonte në punë dhe ka njoftuar policinë.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Lleshi dyshohet se është ekzekutuar për motive hakmarrjeje. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai njihej për lidhjet miqësore me fisin Reçi.
Një nga pistat që po hetohet është edhe një dyshim i hershëm për përfshirjen e Lleshit në vrasjen e Anton Kelit në Rrëshen. Keli rezulton të ketë qenë i afërm i Armando Gjinit. Megjithatë, burime nga policia sqarojnë se deri më tani Valter Lleshi nuk ka qenë i hetuar dhe as i skeduar si i dyshuar për vrasjen e Anton Kelit.
Viktima punonte ne kompanine ‘Balkan Basalt’ Balkan Basalt Sh.p.k. është një kompani me pronësi holandeze, e themeluar në vitin 2015 për prodhimin e gurit të bazaltit. Zyra qendrore ndodhet në Tiranë, ndërsa impianti i përpunimit ndodhet në Spaç, pranë qytezës së Repsit, në Mirditë. Edhe makina ku udhëtonte viktima i përket kësaj kompanie.
Në zonë nuk ka kamera sigurie, teksa policia po kryen kontrolle me qen për ndonjë gjurmë të autorëve.
"Mirditë/Informacion paraprak
Rreth orës 07:10, në fshatin Shkorret, Mirditë, në aksin rrugor Reps–Spaç, është gjetur në automjet, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi V. Ll., rreth 45 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t'i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve". thuhet në njoftimin e policisë.
Lajmi në përditësim...
Foto: Policia në vendin e ngjarjes
45-vjeçari Valter Lleshi dyshohet se është ekzekutuar për motive hakmarrjeje. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai njihej për lidhjet miqësore me fisin Reçi.
Një nga pistat që po hetohet është edhe një dyshim i hershëm për përfshirjen e Lleshit në vrasjen e Anton Kelit në Rrëshen. Keli rezulton të ketë qenë i afërm i Armando Gjinit.
Megjithatë, burime nga policia sqarojnë se deri më tani Valter Lleshi nuk ka qenë i hetuar dhe as i skeduar si i dyshuar për vrasjen e Anton Kelit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivin e krimit dhe për të identifikuar autorët.
Komente







