Donald Trump është nxjerrë me urgjencë nga darka e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë pasi u dëgjuan të shtëna me armë zjarri. Presidenti amerikan është shëndoshë e mirë. Ai dhe Melania Trump u larguan menjëherë, bashkë me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth,
Një burrë i armatosur me një armë gjahu qëlloi ndaj një agjenti të Shërbimit Sekret, i tha një zyrtar i FBI-së agjencisë Reuters.
Një i dyshuar është arrestuar. Ai është identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia. Allen ka deklaruar se donte të shënjestronte zyrtarët e administratës Trump.
Të ftuarit u fshehën poshtë tavolinave, ndërsa vetëm pak më pas, Trump postoi në Truth Social se autori i të shtënave ishte “kapur”.
“Kam rekomanduar që ‘ta vazhdojmë shfaqjen’, por do të udhëhiqem plotësisht nga forcat e rendit. Pavarësisht këtij vendimi, mbrëmja do të jetë shumë ndryshe nga sa ishte planifikuar dhe thjesht do të na duhet ta bëjmë përsëri”, shkroi ai, ndërsa më vonë u tha se do të planifikohej sërish pas 30 ditësh.
Trump tha se një agjent i Shërbimit Sekret u qëllua nga një distancë shumë e afërt, por u shpëtua nga jeleku i tij antiplumb.
“Sapo fola me agjentin dhe ai është shumë mirë,” tha Trump. “Ai është në gjendje shumë të mirë shpirtërore, dhe ne i thamë që e duam dhe e respektojmë, dhe ai është një njeri shumë krenar.”
Në fillim ai nuk ishte i sigurt nëse zhurma ishte një tabaka që ra apo një plumb, tha presidenti.
“Shpresoja që të ishte një tabaka, por nuk ishte.”
Trump krahasoi rreziqet e profesionit të presidentit me profesione të tjera, përfshirë garat me makina dhe ndeshjet me dem, duke vënë në dukje se rreth 5.8% e presidentëve amerikanë janë qëlluar.
“Vështirë të përfytyrosh profesione më të rrezikshme", tha ai, duke shtuar se të qenit drejtues do të thotë se duhet “të marrësh rreziqe”.
Ai u pyet se si ky incident do të ndikojë tek ai si lider.
“Preferoj të mos mendoj për këtë,” u përgjigj ai. “Unë bëj një jetë mjaft normale duke marrë parasysh gjithçka, është një jetë e rrezikshme. Mendoj se e menaxhoj sa më mirë që mund të menaxhohet.”
Ai tha se ka lexuar histori për njerëz që përballen me situata të tilla dhe “përfundojnë të shkatërruar psikologjikisht”.
“Sinqerisht, unë nuk jam i tillë. E marr siç vjen. E bëj për vendin. Nuk e bëj për ndonjë arsye tjetër.”
Ai shtoi se edhe Zonja e Parë e kupton rrezikun e këtij posti dhe se është e rrezikshme edhe për të. Më herët, Trump tha se ngjarja ishte traumatike për Melanian.
Lajm në përditësim...

Sulmi me armë në darkën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë ndodhi në hotelin Washington Hilton në Connecticut Avenue, i njëjti ku Ronald Reagan u qëllua dhe u plagos në vitin 1981.
Sulmi ndodhi më 30 mars 1981, kur autori, John Hinckley Jr., qëlloi ndaj Reaganit ndërsa ai po shkonte drejt limuzinës së tij pas një aktiviteti brenda hotelit.
Reagan mbijetoi, por u plagos rëndë nga një plumb që bëri rikoshet nga limuzina presidenciale dhe e goditi në trup, duke i thyer një brinjë dhe duke i dëmtuar mushkërinë. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin George Washington University Hospital nga ku doli më 11 prill.
Sekretari i atëhershëm i Shtëpisë së Bardhë, James Brady, u plagos në të njëjtin sulm, së bashku me një agjent të Shërbimit Sekret dhe një oficer të Policisë Metropolitane të Uashingtonit
Brady pësoi dëmtime në tru gjatë incidentit dhe mbeti me aftësi të kufizuara për pjesën tjetër të jetës. Lëndimet e tij e shoqëruan gjatë gjithë jetës dhe kontribuuan në vdekjen e tij në vitin 2014.
Vit më vonë, Hinckley u shpall i pafajshëm për shkak të çrregullimit mendor, por u mbajt në një seksion me siguri të lartë të spitalit St. Elizabeths Hospital deri sa u lirua në vitin 2016.
Një pllakë përkujtimore ende shënon vendin e të shtënave në anën e hotelit.

Trump tha se ishte gati të mbante fjalimin e tij në darken e gazetarëve para se të fillonin të shtënat.
“Unë isha gati të isha shumë i ashpër, dhe u thashë njerëzve të mi: ‘ky do të ishte fjalimi më i papërshtatshëm ndonjëherë’ nëse do ta kisha mbajtur,” tha ai. Por shtoi: “Nuk e di nëse mund të jem ndonjëherë aq i ashpër sa do të isha sonte.”
Për fjalimin në eventin e riplanifikuar pas 30 ditësh, ai tha: “Do të jem ndoshta shumë i sjellshëm. Do të jem pak i mërzitshëm herën tjetër, por do të kemi një event të shkëlqyer.”
Presidenti u shpreh se ekipi i tij nuk kishte dijeni për ndonjë kërcënim para ngjarjes.
“Nuk pati asnjë njoftim,” tha ai kur u pyet nëse kishte sinjale paraprake.
Trump shtoi se nuk e di motivin, por përmendi se i dyshuari “duket mjaft i keq”. Ndërkohë, autoritetet ndodhen në apartamentin e 31-vjeçarit.

Trump është shprehur tha se bazuar në informacionet e deritanishme, nuk mendon se të shtënat në darkën e gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë lidhen me luftën në Iran, por shtoi se veprimet e tij ndaj Teheranit mund ta kenë kthyer në objektiv dhe nuk do të tërhiqet.
“Kur bën gjëra të tilla, bëhesh objektiv. Nëse nuk do t’i bëja ato, ndoshta do të isha shumë më pak objektiv, por jam i nderuar që jam,” u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Kjo nuk do të më ndalojë të fitoj luftën në Iran. Nuk e di nëse kishte ndonjë lidhje me këtë, me të vërtetë nuk mendoj kështu bazuar në atë që dimë.”
Presidenti solli në vëmendje se kjo nuk është hera e parë në dy vitet e fundit që një republikan është sulmuar nga një “vrasës i mundshëm”.
Ai përmendi dy raste kur dikush ka tentuar ta vrasë para se të rizgjidhej president, përfshirë një tubim në Butler, Pensilvani, dhe një tjetër rast kur Trump po luante golf në Palm Beach, Florida.
Presidenti Donald Trump ka publikuar në rrjetet sociale një foto të autorit të dyshuar pas të shtënave dhe pamje nga kamerat e sigurisë që duket se tregojnë fillimin e tyre.
Ai u shpreh se i shpërndau ato në interes të transparencës. Trump tha se i dyshuari, i cili është marrë arrestuar, ishte “një person shumë i sëmurë”.
“Ne nuk duam që të ndodhin të tilla gjëra”, thaë ai.
Jeffrey Carroll, shefi i policisë së DC, tha se hetuesit besojnë që i dyshuari Cole Tomas Allen ka qëlluar dhe ishte i armatosur me një armë gjahu, një pistoletë dhe disa thika. Ai gjithashtu tha se i dyshuari 31-vjeçar nga Kalifornia besohet të ketë qenë klient në hotelin ku po mbahej eventi. Motivi i sulmit ende nuk është bërë i ditur, sipas zyrtarëve.
Jeanine Pirro, prokurore federale për Distriktin e Kolumbisë, tha se i pandehuri përballet me dy akuza për armë zjarri dhe sulm dhe do të dalë para gjykatës të hënën. Pritet që të ngrihen edhe akuza të tjera.

Komente











