Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Rajoni Vlorë, Klevis Kaso ka reaguar pas rasteve të shtuara të banorëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, me simptoma të të vjellave dhe diarresë. Rastet janë konstatuar në lagjet “28 Nëntori” dhe “29 Nëntori”. Banorët kanë marrë serum dhe ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa më pas janë larguar drejt banesave.
“Në këtë moment të ndjeshëm, kur shqetësimi i prindërve është mëse i kuptueshëm dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve, dua të flas me përgjegjësi dhe transparencë.Edhe fëmijët e mi rriten në këtë qytet. Ata jetojnë këtu, konsumojnë ujin e këtij qyteti dhe kjo është arsyeja pse çdo shqetësim i qytetarëve më prek mua personalisht. Dua të jem i qartë: Uji që furnizohet përmes sistemit të administruar nga Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë është i pastër dhe i sigurt për konsum, bazuar në kontrollet dhe përgjegjësinë tonë për depot, linjat e transmetimit dhe rrjetin që ne administrojmë.”- tha ai.
Kaso pranon se mund të ketë raste të izoluara për shkak të ndërhyrjeve në rrjet nga subjekte të ndryshme që operojnë në qytet, por thekson se institucioni reagon për çdo problematikë të sinjalizuar.
“Sigurisht, mund të ketë raste të izoluara, si pasojë e ndërhyrjeve në rrjet nga subjekte të ndryshme që operojnë në qytet. Por për çdo rast të sinjalizuar, reagojmë menjëherë dhe marrim masat përkatëse për zgjidhjen e tij në kohë rekord. Paralelisht, po punojmë pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditë të javës, për investimin madhor të rrjetit të ri të ujësjellësit, një ndërhyrje që synon t’u japë zgjidhje problematikave të ndjeshme të trashëguara ndër vite.”- u shpreh Kaso.
Gjithashtu drejtori bën publike edhe rezultatet e analizave fiziko-kimike të mostrave të ujit të marra në 22 pika monitorimi në qytet. Sipas tij, nuk është evidentuar ndotje fiziko-kimike, përfshirë praninë e amoniakut dhe nitriteve. Megjithatë, për parametrat mikrobiologjikë, rezultatet nuk janë bërë ende publike.
“Në momente të tilla, qetësia, përgjegjësia dhe verifikimi i fakteve janë thelbësore. E vërteta duhet të dalë përmes analizave dhe verifikimeve institucionale, jo përmes hamendësimeve. Nuk ndalemi. Do të vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi, sepse pas çdo pune që bëj/bëjmë janë familjet e këtij qyteti, familja ime, fëmijët e mi dhe fëmijët e çdo qytetari që meriton të jetojë i sigurt. Bazuar në analizat fiziko-kimike të mostrave të ujit të marra në të 22 pikat monitoruese të qytetit, rezultatet nuk kanë evidentuar ndotje fiziko-kimike, përfshirë praninë e amoniakut dhe nitriteve. Për sa i përket parametrave mikrobiologjikë, komunikimi im (ynë) dhe transparenca ndaj qytetarëve është e domosdoshme, ndaj po bëj publike rezultatet fiziko-kimike të disponueshme deri në këto momente.”- ka thënë në reagimin e tij Kaso.
Lajmi kryesor:
Shtohen rastet e paraqitjes në spital në Vlorë, dyshime për probleme me ujin e pijshëm në dy lagje! Në dy mostra konstatohet mungesë klori










