TIRANE - Shfuqizohet task-forca për gjetjen e eshtrave të personave të ekzekutuar pa gjyq gjatë periudhës së komunizmit. Qeveria ka miratuar një vendim, i cili shfuqizon vendimin e ish-qeverisë Berisha ku në vitin 2010 ngriti një njësi task-forcë për gjetjen e eshtrave të personave të ekzekutuar pa gjyq apo të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit. Vendimi i qeverisë Rama është botuar në Fletoren Zyrtare duke marrë në këtë mënyrë edhe fuqi ligjore çka do të thotë se kjo task-forcë tani më nuk ekziston. “Shfuqizimin e vendimit nr. 133, datë 24.2.2010, të Këshillit të Ministrave, Për krijimin e Task- Forcës për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist”,- theksohet në vendimin e qeverisë Rama.