TIRANË- "Të zgjidhim shpejt çështjet e pazgjidhura në të kaluarën"...kështu u ra dakord në darkën e punës që kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis zhvilluan mbrëmjen e djeshme pjesë e së cilit është edhe çështje e detit! Takimi i mbrëmjes me kryeministrin Mitsotakis, vjen në një moment kur Greqia ka deklaruar se synon të zgjerojë ujërat e saj territoriale në detin Jon deri në 12 milje si edhe ndërprerjes së diskutimeve për shfrytëzimin e zonave ekonomike ekskluzive pas ardhjes së qeverisë së re. Mediat greke kanë zbardhur detaje nga ky takim, ku mësohet se përveç detit është diskutuar dhe për pakicat kombëtare, integrimi i Shqipërisë në BE dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve.

“Diskutim i veçantë u bë për Pakicën Kombëtare Greke në Shqipëri, e cila duhet të jetë një urë miqësie dhe bashkëpunimi midis dy popujve, ndërsa theksi u vu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare. Rama e Mitsotakis shprehën kënaqësinë e tyre për integrimin e përkryer të qetë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Në fund, ata ranë dakord të punojnë së bashku në mënyrë që të dy vendet të zgjidhin shpejt çështjet e pazgjidhura në të kaluarën në një kontekst dypalësh dhe të lëshojnë potencialin e madh që mund të krijojë marrëdhënia strategjike midis dy vendeve”, bën të ditur zyra e kryeministrit Mitsotakis.

Vizita e kryeministri shqiptar në Athinë, u parapri në fundjavë nga një takim që ai pati në Turqi me presidentin turk Tayp Erdogan, vendi i të cilit është përfshirë në një përplasje të hapur me Greqinë, pikërisht për ujërat detare që dy vendet ndajnë me njëri tjetrin. Rama ndodhet në kryeqytetin grek për të marrë pjesë në konferencën e përvitshme të organizuar nga Qeveria greke dhe revista "The Economist".