Tre dekada pas rënies së regjimit komunist ka një inciativë konkrete nga Autoriteti i Dosjesve për gjetjen e eshtrave të të vrarëve e të zhdukurve në diktaturë. Së shpejti do të nisin kërkimet tek “Varrezat Katolike të Shkodrës. Gjithashtu me rastin e 30 gushtit, ditës ndërkombëtare të të zhdukurve u prezantua projekligji i ri.

Vendvarrimi i dyshuar, kjo është tabela që është vendosur pranë varrezave të Rrmajit, aty 0ku dyshohet se janë me dhjetëra të pushkatuar gjatë regjimit komunist, eshtrat e të cilëve ende sot nuk janë gjetur.

Pas 30  vitesh duket se ka një iniciativë pozitive për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve nga regjimi komunist në Shqipëri, e aq më pak në Shkodër që është një nga zonat me numrin më të madh të të vrarëve gjatë 50 viteve të komunizmit.

Në kuadër të 30 Gushtit, autoriteti i Dosjeve prezantoi në Shkodër projektligjin për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve.

“Autoriteti duke marrë kompetencat shtesë me ndryshimet ligjore është në gjendje të bëjë hetime administrative për të verifikuar dyshimet e familjareve për vende të caktuara ku mund të ketë varreza të fshehura dhe të pashënuara”, tha Gentiana Sula, Drejtore e Autoritetit të Dosjeve.

Për familjarët e të zhdukurve në komunizëm shteti duhet të bëjë më shumë për gjetjen e eshtrave.

“Shumë të pushkatuar, kemi 11 vetë të pushkatuar nga regjimi komunist, me gjyq pa gjyq, të vdekur në internim dhe në burgje dhe tre nga pjesëtarët e familjes tonë nuk ua dimë varret. E fillojmë me xhaxhain që është martir i Kishës Katolike, Gjelosh Lulashi, i cili është pushkatuar me 4 mars me grupin e klerikëve”, tha Ndoc Ashta, familjar i 4 prej të zhdukurve.

Një mesazh për gjetjen e eshtrave ka ardhur edhe nga Kryetari i Konferencës Ipeshvnore Angjelo Massafra.

“Kanë kaluar më shumë se 33 vite nga fillimi i demokracisë dhe shteti nuk është angazhuar si duhet për të gjetur eshtrat e mijëra njerëzve të vrarë”, u shpreh Massafra.

Varrezat e Rrmajat janë vend shënjimi i parë ku do të kërkohet për gjetjen e trupave të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë regjimit komunist në Shkodër.