Komedia ‘Efekti Kameleon’ është shfaqja e nxënësve të seksionit dygjuhësh të gjimnazit “Asim Vokshi” në Tiranë, në edicionin e tretë të Teatrit francez, ku edhe nxënës nga shkolla të ndryshme në vend sollën energjinë dhe talentin e tyre në skenë.

“Pjesa jonë është komedi dhe unë kam rolin kryesor. Jam përfaqësuese e një kompanie dhe disa nxënës përpiqen të më bindin përmes skenave të ndryshme, derisa në fund arrijmë në firmosjen e një kontrate. Ideja lidhet me efektin kameleon, pra ndryshimin dhe përshtatjen për të qenë sa më kreativë. Është një eksperiencë shumë e bukur për mua.”, tha Diora Lama, nxënëse e shkollës “Asim Vokshi”.

Në këtë interpretim në gjuhën frënge, nxënësit demonstrojnë jo vetëm aftësi artistike, por edhe njohuritë gjuhësore.

“Nxënësit e seksionit dygjuhësh zhvillojnë rreth 40% të lëndëve në gjuhën frënge, ç’ka u jep avantazh për studime kudo në botë. Teatri frankofon është shumë i rëndësishëm për ta, sepse i ndihmon të shprehen lirshëm dhe të zhvillojnë vlera si bashkëpunimi, empatia dhe mirëkuptimi.”, tha Eva Taku, koordinatore e seksionit dygjuhësh te “Asim Vokshi”.

Përmes skenës, të rinjtë ndërtojnë edhe aftësi që i shoqërojnë përtej shkollës.

“Ky aktivitet zhvillohet prej vitesh dhe nxënësit tanë gjithmonë na bëjnë krenarë. Ata jo vetëm flasin shumë mirë frëngjisht, por performojnë si aktorë të vërtetë. Ne i inkurajojmë të marrin pjesë në aktivitete të tilla, sepse i ndihmojnë të zhvillojnë talentet e tyre dhe të fitojnë vetëbesim për të ardhmen. Madje, disa prej tyre kanë ndjekur më pas studimet në art, duke e kthyer pasionin në profesion.”, tha Marsida Jarani, drejtoreshë e shkollës “Asim Vokshi”.

Teatri francez organizohet nga Aleanca Franceze në Tiranë, në bashkëpunim me institucionet arsimore, për promovimin e kulturës dhe gjuhës frënge tek të rinjtë.