Teatri Kombëtar s’pranon
kritikat: “Patëm sukses”

Teatri Kombëtar s’pranon<br />kritikat: “Patëm sukses”
Vepra e Shekspirit "Henri VI", është një triptik që u nda mes tri vendeve fqinje të Ballkanit, Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Por pas shfaqjes në Teatrin Globus në Londër ajo kthehet në një arenë kritikash e debatesh, jo vetëm nga spektatorët nëpër blogje por është shigjetuar edhe nga mediat londineze. Trupa e Teatrit Kombëtar pas kthimit në atdhe nuk i pranon kritikat. Pjesa e dytë e kësaj vepre nuk është luajtur kurrë në skenën e Tetarit Globus edhe nga vetë anglezët, sepse realizimi skenik paraqet shumë vështirësi. Guximi i trupës së Teatrit Kombëtar të Tiranës, që mori përsipër pikërisht këtë pjesë të rrezikshme të triptikut "Henri VI" duket se është shoqëruar nga reagimet negative. "The Guardian" ka sulmuar trupën e Teatrit Kombëtar me vërejtje jo vetëm për regjinë, rolet, por edhe të tjerat. Kjo gazetë londineze thotë se "oborri mbretëror i Henrit i ngjan krejt senatit të Çezarit", "një Henri krejt pa shije i Indrit Çobanit...një torollak i pavlerë", etj. Gjithashtu aty shkruhet se "Rebeli Xhek Kejd i Bujar Asqeriut...ofron një goditje të fuqishme, por efekti zbehet nga interpretimi i pasuesve të tij..", etj. Megjithatë, vërejtjet nuk i kanë pranuar asnjë nga pjesëmarrësit që u kthyen në atdhe pas shfaqjes. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Skrami, thotë se Tom Bird i teatrit Globe, udhëheqësi artistik i festivalit dhe kritikët anglezë "kanë thënë fjalë shumë të mira". Adonis Flipi thotë se çdo kritikë vjen nga blogjet jozyrtare, ndërsa Bujar Asqeriu, i vetmi që ka marrë vlerësim pozitiv për rolin e rebelit Jack Cade në faqet e "The Gardian", në intervistën për "Shqiptarja.com" jep një imazh më të plotë të asaj që ka ndodhur me aktorët shqiptarë dhe publikun londinez në Teatrin Globus të Londrës.

SKRAMI: GAZETAT LONDINEZE S'KANE SHKRUAR ENDE
Zoti Skrami, mendoj se sigurisht që ka pasur kritika dhe nga media që ka frymëzon blogjet me komente, si është e vërteta?
-Pjesëmarrja e Teatrit kombëtar ju siguroj se ka qenë dinjitoze. Natyrisht duke iu referuar pyetjes suaj, nuk janë bërë ende vlerësimet zyrtare. Nëse doni diçka vërtetë zyrtare po ju referohem dy personave; drejtorit të Tetarit Globus Tom Bird dhe drejtorit artistik Domenik Dromgool. Prononcimi i tyre është në nivelet maksimale. Zërat e tjera janë tendenciozë, duke pasur parasysh konfliktet në rajon. Ja ç'thotë Tom Bird: Jemi në një festë të mrekullueshme me kolegët nga Shqipëria. Këto kanë qenë ditë të paharrueshme dhe falënderoj Adonis Filipin për shfaqjen e mahnitshme dhe mendoj se tregoj shumë nga hipokrizitë fetare të mesjetare angleze, por gjithashtu edhe hipokrizitë e politikës në botë. Pashë një nga shfaqjet më të bukura autoriale." Ndërsa Domenik Dromgool drejtor artistik i Globe dhe regjisor tha se Mendoi se shkoi jashtëzakonisht mirë dhe se treguan historinë shumë qartë dhe spektatorët e kuptuan atë moment historie dhe të politikës angleze me shumë qartësi dhe me vizion dhe shfaqën dukshëm përpara publikut. Etj. Ai iu referua edhe konceptit regjisorial duke na thënë se "Përzierja e historisë shqiptare dhe mendimeve të sotme për Shqipërinë në politikë dhe në jetë, si dhe një kuptim i qartë i historisë angleze është ekuilibrim që arrihet me vëshirësi dhe mendoj se ata ja kanë arritur më së miri."

Pse mendoni se komentet në blogje janë pasojë e konflikteve ne rajon?
-Është një Lolik gazetar serbo-kroat ai që ka shkruar, por në asnjë rast në shkrimin e tij nuk gjej asnjë argument artistik, ndaj them se është tendencioze.

Më e mira ishte shfaqja e Manastirit, siç dëgjova, si mendoni ju?
-Unë këtë mendim kam. Ishte një zgjidhje e mirë artistike, kishin një regjisor amerikan. Por nëse i referohemi të tria veprave, triptikut të "Henrit VI", pjesa e dytë është më e arritura artistikisht. Sipas kritikës "Henri VI", vepra e dytë është pjesa më e mirë e shkruar artistikisht nga Shekspiri. Dy veprat e tjera dhe ato janë në po këto nivele, por artistikisht gjetja është më e mirë te pjesa që kemi luajtur ne. Tetari kombëtar hyn në historinë e këtij tempulli të teatrit botëror me një vepër që nuk është luajtur asnjëherë.

Gazetat kryesore besoj se do t'i shohim, por a patët kontakt me mediat e mëdha ju vetë, me intervista, konferenca?
-Ato që ju thashë më sipër janë intervistat e Teatrit Globus për median pas shfaqjes. Mbas disa ditësh mbasi do bëhet një analizë do të shkruhet. Unë u kam thënë të m'i dërgojnë dhe do t'ua vë në dispozicion. Më vjen keq që mundohen të hedhin baltë, nuk e meritojmë.

Si ju priti shteti britanik?
-Absolutisht mirë. 50 për qind të shpenzimeve e mbuloi Tetari Globus 50 për qind ne.

BUJAR ASQERIU: JU TREGOJ SI ME PRITI PUBLIKU
Bujar Asqeriu është i vetmi aktor shqiptar që është vlerësuar nga "The Guardian" me fjalët "Rebeli Xhek Kejd i Bujar Asqeriut, një njeri baritor tip Rambo, ofron një goditje të fuqishme, por efekti zbehet nga interpretimi i pasuesve të tij...". Kjo është ndjerë edhe nga vetë aktori. Bujar Asqeriu që në momentin e hyrjes pa thënë ende batutën e parë i shoqëruar nga mbështetësit e rebelit Jack Cade që përfaqëson grupin e rebelëve, i cili është kundër mbretit Henri, duke bërë aleanca me njerëz ambicioz të oborrit sapo ka hyrë në skenë, publiku e ka thirrur me emrin e personazhit "Jack Cade! Jack Cade!". Ai ruan ende këto emocione dhe nuk përjashton faktin se pas shfaqjes do të ketë dhe kritika, sepse sipas tij asgjë nuk është e përkryer në art.

Si kaluat para dhe pas shfaqjes sepse ju i ndoqët edhe reagimet, ato videot në shesh?
Të festosh mbas shfaqjes me aktorë dhe me teatrin dhe ata anglezë që pëlqyen performancën tonë nuk ka asnjë vend për të diskutuar për ato xhirime, njeriu kur kryen një punë, kryen një punë me sukses sepse pashë reagimin e 150 vetave që kishin mbushur të dy shfaqjet tona dhe për mund të thuash ty mund të duartrokasin për kortezhi, por nuk është ashtu sepse 1500 spektatorë kanë duartrokitur me ovacione

Pati ndonjë gjë që nuk shkoi mirë?
-Sigurisht ballafaqimi nuk është i thjeshtë. Është maja e dramaturgjisë botërore. Ndeshja me të nuk kaq e lehtë, por përpjekjet tona duke filluar me kostumografinë dhe skenografinë, puna individuale dhe puna e të gjithë artistëve them se ishte një performancë e pëlqyer dhe e vlerësuar.

Një zë konkret me rëndësi si kritik ose media pati që ju vlerësoi?
-Po ne ndjemë vlerësimet e drejtorit të Globus dhe të organizatorëve. Mbrëmë kemi qenë në rrugëtim dhe ende nuk kemi parë mediat. Por është një gjë e rëndësishme që teatri shqiptar luajti në Teatrin Globus. Këtë duhet të vlerësojnë njerëzit. Kjo është e rëndësishme. Ishte një sugjestion, një magji e madhe të luaje në teatër. Kjo, jo vetëm për emrin që ka dhënë në shekuj, jo vetëm për atë ndërtim të madh të bukur, por për atë fakt që atje ka luajtur vetë Shekspiri.

Sa role keni luajtur të Shekspirit gjatë karrierës suaj?
-Po unë kam luajtur tek "Shumë zhurmë për asgjë" shumë vite të shkuara. Kam luajtur rolin e Venedikut. Ky është roli i dytë i plotë që kam luajtur te Shekspiri. Fragmente, monologë nga Shekspiri kam luajtur, por roli i dytë i plotë ka qenë Venediku. Aty, me këtë rol kuptova sesa jetëgjatë do të jetë krijimtaria e Shekspirit. Kuptova se publiku londinez i njihte personazhet ende pa filluar shfaqja.

Duke qenë shumë trupa pjesëmarrëse, pse ka një konkurrencë më të ethshme mes tre trupave të Ballkanit, Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë?
-Po sepse ne luanim të tria trupat së bashku një triptik të vetëm. Beogradi luante pjesën e parë. Ne luanin pjesën e dytë dhe tetari i manastirit i Bitolës luante pjesën e tretë. Kjo na afronte neve sepse tek "Henri VI" ishin tre akte.

Mendon se ndonjë lloj xhelozie ka ndezur edhe polemikat në blogje?
-Nuk mendoj se ka ndodhur kjo mes trupave. Ne kemi ndjekur me shumë admirim dhe trupën serbe dhe trupën maqedonase dhe di të dallojë edhe të mirën edhe vlerën secili prej nesh si profesionistë të fushës. Unë mendoj se edhe ata panë te shfaqja jonë edhe vlerën edhe ndonjë gjë që mund të çalojë. Krijimtaria është e pafundme dhe nuk sos dhe nuk përfundon kurrë me interpretime dhe realizime të përsosura. Vetëm këtu nuk ka kufi, çdo gjë është në kërkim në perfeksion dhe pafundësi.

Ju morën intervista konkrete juve, si punojnë gazetarët atje gjatë festivalit pati xhirime nga televizionet?
-Gjatë shfaqjes atje nuk lejohej të fotografoje. Statusin e filmimin e ka vetëm Globus, askush tjetër. Mbas shfaqjes mund të bëje foto, mund të bisedoje. Mendimet do të jepeshin mbas shfaqjes ne nuk qëndruam në fund ne bënë një takim me udhëheqësin artistik të Globusit, i cili foli në përgjithësi dhe në veçanti për secilën trupë me fjalët më të mira dhe urimet më të mira për performancën e secilës, të Beogradit dhe Bitolës me shumë rëndësi. Ai bëri një takim me të tre trupat ku na uroj në mënyrë jot ë diferencuara, por në një mënyrë ku na shpjegoi edhe më të mirat e secilës trupë, duke na vlerësuar pa diferenca. Pra udhëheqësi artistik i Teatrit Globus na bëri vlerësime të tria trupave në sytë tanë. Pastaj si do të përshkruhemi ne në shijet e gazetarëve dhe individëve të ndryshëm janë të pranueshme edhe nëse janë kontradiktore. Ç'të them unë më. Unë nuk e di vetëm shqiptarët gëzohen kur shqiptari humbet ndeshjen apo trofetë në një eveniment.

Po aktorët protagonistë që nuk kanë shumë vite karrierë ia dolëm ashtu siç duhet?
-Mendoj se ishin të shkëlqyer. Mund t'ju them se ishin nga aktorët e rinj më të talentuar që kemi neve. Kjo është e vërteta. Dhe i gjithë publiku qytetar shqiptar duhet të ndihet krenar me performancën tonë në Londër.

Përzgjedhja me pjesën tuaj për të vajtur në Globus, si u bë?
-Përzgjedhja u bë nga vetë drejtuesit e Teatrit Globus, por kur shkova atje kuptova se të ishe i pranishëm ishte një gjë e jashtëzakonshme. Dhe pas shfaqjes pati duartrokitje pa fund. Dolëm mbrapa skenës dhe vazhdonim, dolëm përshëndetëm prapë dhe dolëm tre-katër herë para spektatorëve.

Mendoni se është komentuar si thyerje disipline, dalja me bujë e flamurit shqiptar në skenë nga disa shqiptarët emigrantë. Nuk duket paka ndërhyrje e dhunshme si gjest?
-Nuk besoj, flamuri ishte shprehje e krenarisë që erdhi pas suksesit. Suksesi ndihet si u prit nga publiku. Unë mund të gënjej, por nuk mund të gënjejë një publik me 1500 veta. Prandaj u ndjen krenarë shqiptarët, se nuk mund të valëvite flamuri vetvetiu pa entuziazmin e fitores. Nga suksesi i shfaqjes, rikthimi ynë në skenë se nuk përfundonin duartrokitjet e publikut, çoi edhe në daljen e flamurit shqiptar. Sigurisht suksesi, pritja ishte jashtëzakonshme. Emocionet që kemi ndier në atë skenë magjike kanë qenë të papërshkruara. Për mua mbetet një ngjarje e madhe e jetës sime artistike. Salla, lozha, ballkonet ishin plot. Me ne u treguan mjaft entuziastë.

Sa ishte bileta për publikun?
-Nga 5 paund në 25 paund, sipas kategorive të vendit. Kur u futa në skenë unë lëviza mes publikut, u futa midis njerëzve. Ishte një gjë shumë e bukur. Edhe publiku u bë pjesëmarrës në shfaqje dhe unë u ndjeva shumë i motivuar si aktor. 1500 njerëz nisën të thërrisnin emrin e personazhit: "Jack Cade!" "Jack Cade!". Mua kaq më mjafton. Unë jam i bindur se në shfaqjen e parë që pa ajo skenë për këtë pjesë të Shekspirit, e ka pëlqyer shpërthimin tonë, cikloni shqiptar e ndjenë anglezët. Sigurisht që do të ketë pasur mangësi artistike, por pashë që publikun ajo e mbajti pezull. Dua të di vërejtjet e specialistëve, sepse çdo gjë është subjektive, por veprimet e nxitura nga shkrimet në blogje të një studenti serb nuk është mirë që të kthehen në prirje për të dëgjuar gjënë e keqe për ne.


REGJISORI FILIPI: JANE BLOGJE ASNJE GAZETE SERIOZE
Janë blogje, nuk gjen asnjë gazetë serioze që të ketë shkruar. Ka këtu një problem sepse është thënë që shfaqja jonë ishte pak e gjatë, por edhe ajo maqedonase ishte dy orë e gjysmë. Probleme dalin edhe dhe kjo shfaqje është shumë e vështirë, sepse luhet për herë të parë, vetë anglezët nuk e kanë vënë ndonjëherë në skenë...Nuk kishte ndonjë oboboo në këtë mes. Aktualisht nuk kemi video të tregojmë sesi shkoi, sepse në sallë nuk lejoheshin foto e xhirime, por kur të na e sjellin ata të Globusit regjistrimin, ju do të shikoni sesi pas duartrokitjeve entuziaste trupa jonë hynte e dilte tri herë. Aktorët tanë ishin më spontanët, më dinamikët, më improvizuesit dhe më origjinalët."

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut