/ATSH-Harilla Koçi/ -Teatri "Petro Marko" i qytetit të Vlorës ka nisur një program aktivitetesh për argëtimin e qytetarëve dhe pushuesve, gjatë sezonit veror.
Drejtori i këtij institucioni, Dhimitër Furxhi, thotë për ATSH-në se, "Teatri "Petro Marko" e ka zhvendosur aktivitetin e vet artistik në mjedis të hapur, në zonat pranë bregdetit, aty ku edhe interesi i njerëzve, i qytetarëve, është më i madh dhe i drejtpërdrejtë".
Sipas tij, periudha e verës është edhe një moment kur të gjithë, artistë e punonjës të tjerë të institucionit, janë në dispozicion të qytetarëve, të pushuesve vendas e të huaj. Por, tashmë, jo në sallën e mbyllur, por në natyrë, në mjedise të hapura.
Për këtë qëllim është krijuar një pikë që është bërë traditë, që skena verore të jetë zona e pedonales në Skelë, ku performojnë të gjithë artistët e qytetit, me protagonistë parodistët, këngëtarët profesionistë që ka teatri, si edhe gjithë grupet e tjera që aktivizohen, ose bashkëpunon ky institucion, siç janë grupet e dansit, ndonjë monolg, pantomimë etj. Por, për këtë qëllim ofrohet hapësirë edhe për grupet e reja të rinjsh, që performojnë rrymat e reja të muzikës, duke bërë sigurisht, një seleksionim paraprak të tyre.
"Ne kemi menduar se, kjo mënyra është një gjetje mjaft e mirë për të plotësuar spektrin e pushimeve në qytetin tonë, duke ofruar argëtim në një mjedis të përshtatshëm sikurse është zona që përmenda", shton Furxhi.
Gjatë periudhës korrik-gusht, që përkon edhe me këtë praktikë të institucionit, janë planifikuar të organizohen një numër i konsiderueshëm aktivitetesh të tilla, që do të vijnë në rritje, të shpërndara njëtrajtësisht gjatë gjithë sezonit.