TIRANE - Ben Çami, i arrestuar në shkurt të këtij viti si bashkëpunëtor në trafikun e mbi 500 kilogramë kanabis drejt Turqisë përmes Kapshticës, rezulton i dënuar edhe në Itali me 10 vjet burg për akuzën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale për trafikun e lëndëve narkotike.
 
Lufti Shabani, i njohur si Ben Çami ndodhet aktualisht në burgun 313 në Tiranë në masën e sigurisë të "arrestit me burg" për drogën e kapur në Shqipëri, ndërsa këtë të mërkurë efektivët e policisë i kanë komunikuar në qeli urdhër-arrestin ndërkombëtar e lëshuar nga autoritetet italiane.

Ben Çami u arrestua  gjatë një operacioni të zhvilluar më 26 shkurt të 2016-ës, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Shërbimet e Policisë Kufitare  në mjetin tip “MAN” kamion, me drejtues Eldi  Zahiri, 38 vjeç, banues në Durrës, (i arrestuar), u gjet dhe u  sekuestrua  rreth 574 kg  lëndë  narkotike e dyshuar  e llojit Cannabis Sativa.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se ky shtetas ishte bashkëpunëtor në këtë trafik së bashku  me drejtuesin e kamionit dhe një persona tjetër, Janaq Koçeli  të arrestuar po gjatë këtij operacioni.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)