TIRANËOne Telecommunications, ky është emri i ri që do te zëvendësojë Telekom Albania, kështu nis një epokë e re për operatorin e parë të telefonisë celulare në vendin tonë, ndryshim që u bë i ditur gjatë evenimentit të organizuar.

Ky transformim, nuk do të konsistojë vetëm në ndryshimin e markës, por edhe në përmirësimin e të gjithë përvojës së klientit, cilësisë së rrjetit, konceptimit te planeve tarifore, produkteve dhe çdo shërbimi tjetër që ofron One Telecommunications.

Duke nisur nga data 11 shtator abonentët do te gjejnë dyqane te rimodeluara, oferta me te mira, me shumë mundësi zgjedhje për telefona të cilët do të mund t’i paguajnë përmes planeve tarifore si edhe produkteve të tjera shumë të favorshme.

Për drejtorin ekzekutiv të One Telecommunications Emil Georgakiev, jo vetëm marka e re por edhe ofertat, shërbimet, cilësia, transparenca dhe shpejtësia në komunikim dhe shkarkime janë prioritet i tyre.

“Për ne ‘NJË’ është simbol që të jemi të parë që sjellim shumë gjëra të reja në treg. Ne do të jemi transparent, e të ndershëm me klientët tanë. Ne premtojmë një rrjet të ri me mbulim 7 herë më të madhe në ambientet e brendshme. Kemi 92 milionë euro investime të cilat po ndodhin aktualisht, të cilat janë vënë në dispozicion të ndryshimit të rrjetit dhe të sistemeve tona të informacionit dhe teknologjisë. Ja kemi dalë që sot të arrijmë rrjetin më të lartë të shpejtësisë në rrjetin e telefonisë celulare që është 1.25 gbps në sekondë. Ne jemi NJË dhe do ta përmirësojmë shërbimin për ju!”, shprehet Emil Georgakiev.

Të njëjtin optimizëm e shpreh edhe aksionari më i madh i kompanisë Elvin Guri, i cili shprehu ambicien për të qenë më të mirët në treg.

“Është kompania e parë e telekomunikacionit në Shqipëri e para që futi teknologjinë EDGE, teknologjinë 4G, 4G+ e para që futi Voltën në Shqipëri. Duam të vazhdojmë të jemi numri një në treg, jo domosdoshmërish më të mëdhenjtë por më të mirët”, deklaron Elvin Guri.

E pranishme gjatë zyrtarizmit të emrit të ri ishte edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. “Duhen marrë masat për të ardhmen dhe ju keni mundësi që të kontribuoni jo vetëm si një biznes serioz por edhe si një kontributor social. Jam shumë e bindur që ju do ja dilni”, u shpreh Balluku.

Por surprizat nuk mbaruan këtu. Ekspertët e kompanisë One Telecommunications kanë kapur për herë të parë në Shqipëri 1.2 Gbps në një test shpejtësie. Ky rezultat është arritur gjatë një testi shpejtësie me një celular Samsung Galaxy Note 9.

One Telecommunications është operatori i parë celular në vend, dhe pas 24 vitesh evolucion hyn tashmë në një etapë të re, me objektivin kryesor që të jetë zgjidhja e parë e çdo qytetari.