Në përpjekje për të bindur shqiptarët se programi ekonomik i PD është më i mirë dhe do të inkurajojë investimet e brendshme dhe të huaja, do të nxisë punësimin dhe do të rrisë fuqinë blerëse, Dorian Teliti nuk kursen akuzat për kryeministrin Rama se ai i ka vjedhur për 7 vite me radhë shqiptarët.

Këshilltari ekonomik i PD, Dorian Teliti shprehet se platforma ekonomike të Bashës me taksën e sheshtë 9 % do të nxis punësimin dhe ndihmojë biznesin, ndërsa sipas tij Rama gënjen shqiptarët duke u marrë nga xhepi 2.1 miliardë euro me rritjen e taksave.

"Ramavirusi në7 vite varfëroi shqiptaret duke u marrë nga xhepi 2.1 miliardë euro vetëm nga rritja e taksave. Edi Rama çoi dhjetëra mijëra biznese drejt falimentimit dhe qindra mijëra shqiptarë morën rrugët e emigracionit. Por nuk i mjaftuan dështimet, tani gënjen dhe veten, sepse shqiptarët nuk i gënjen dot më. Gënjeshtra e radhës e Edi Ramës: Me PD do paguani më shumë. Fakti: çdo i punësuar do të paguajë më pak, pasi me taksën e sheshtë 9% për Tatimin mbi të Ardhurat Personale nga pagat për çdo të ardhur mbi 30 mije leke (zero tatim për te ardhurat deri ne 30 mije leke), duke i lënë kështu me shume para ne xhep çdo te punësuari ne vendin tone. E vërteta nuk mund te fshihet. Plani PD nxit punësimin, rrit konsumin, ndihmon biznesin", shkruan Teliti.

Një ditë më parë Basha shpalosi 7 pikat e programit ekonomik të PD-së që do të nxisin ekonominë  e vendit dhe janë; ulja e taksave, thithja e investimeve të huaja, bashkëpunimi me biznesin, respektimi i sigurisë juridike, implementimi i taksës së sheshtë 9%, eliminimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve.

Organizimi i strukturave partiake, prezantimi i mënyrës së zgjedhjes së kandidatëve për deputetë dhe plani ekonomik tregon se PD ka ndezur motorët e fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme. As PS nuk mbetet pas, duke zhvilluar mbledhje me strukturat e saj në qytete të ndryshme të vendit.