Kryeqyteti i Maltës, Valeta, mbeti pa energji elektrike të mërkurën, një ditë pasi kryeministri Robert Abela kërkoi falje për valën e ndërprerjeve që ka prekur vendin gjatë ditëve të fundit.
“Dua t’u kërkoj falje të gjithë atyre që mbetën pa energji elektrike në orët e fundit. Kjo falje është e pakushtëzuar”, tha Abela, ndërsa banorë në disa zona raportuan se e kaluan natën pa ventilatorë dhe pa ajër të kondicionuar.
Mungesat prekën edhe zyrën e kryeministrit, disa ministri dhe shumë biznese. Restorantet thanë se u detyruan të hidhnin ushqime për shkak të mungesës së energjisë.
Problemet me furnizimin ndërprenë përkohësisht edhe gjyqin e një biznesmeni të akuzuar për përfshirje në vrasjen me bombë të gazetares Daphne Caruana Galizia në vitin 2017.
Malta po përballet me një valë pesëditore të të nxehtit, ku temperaturat kanë arritur deri në 42 gradë Celsius, ndërsa të shtunën u regjistrua rekordi i korrikut me 43.3 gradë.
Kompania shtetërore e energjisë, Enemalta, tha se ndërprerjet janë shkaktuar nga defektet në rrjetin e shpërndarjes si pasojë e temperaturave ekstreme dhe kërkesës rekord për energji elektrike.
“Ndërsa kemi bërë shumë, sfidat janë të mëdha. Efektet e ndryshimeve klimatike po duken dhe temperaturat po rriten vazhdimisht dhe zgjasin më shumë”, u shpreh Abela.
Ndërkohë, Partia Nacionaliste në opozitë kërkoi kompensim për dëmet e shkaktuara ndaj familjeve dhe bizneseve.
Komente








