Në rrugët dhe autostradat e Kosovës, sot është i kufizuar qarkullimi i kamionëve me peshë mbi 20 tonë deri në orën 17:30. Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit të Kosovës është marrë për shkak të temperaturave të larta, që kanë kaluar 32 gradë celsius, me qëllim mbrojtjen e shtresës asfaltike dhe infrastrukturës rrugore.
Kufizimi i qarkullimit ka sjellë radhë të gjata kamionësh në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosoves. Mjetet e tonazhit të rëndë po qëndrojnë në pritje të përfundimit të orarit të ndalimit, për të vijuar më pas udhëtimin drejt Kosovës.
E njëjta masë është zbatuar edhe gjatë ditëve të kaluara, kur temperaturat kanë kaluar pragun e 32 gradëve, duke shkaktuar radhë kilometrike kamionësh dhe parkim në dy korsi në segmentin hyrës të Rrugës së Kombit, në aksin Kukës-Morinë. Situata rëndohet edhe më tej nga fluksi i lartë i automjeteve të vogla dhe autobusëve. Në jo pak raste, krahas radhëve të kamionëve, janë krijuar pritje të gjata edhe për automjetet e tjera, për shkak të kthimit të qytetarëve të Kosovës pas pushimeve në bregdetin shqiptar.
Fluksi i madh i mjeteve ka sjellë ngarkesë të konsiderueshme në pikën Kosovare kufitare të Vërmicës, në hyrje nga Shqipëria drejt Kosovës. Autoritetet kosovare kanë hapur të gjitha sportelet në dispozicion dhe kanë aktivizuar procedurat e përshpejtuara për automjetet me targa të huaja, me synim lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e kohës së pritjes.










Komente
Komento