Tre persona humbën jetën nga infarkti brenda një dite, duke rikthyer edhe njëherë në vëmendje rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, veçanërisht gjatë periudhës së temperaturave të larta.

Mjekët sqarojnë se faktorë të ndryshëm si mosha, tensioni i lartë, mbipesha, duhanpirja mund të rrisin ndjeshëm rrezikun për probleme të rënda të zemrës. Kardiologia Brunilda Alushi, për Report TV shpjegon se cilat janë grupmoshat më të ekspozuara.

“Pra, ne të gjithë pas një farë moshe jemi të ekspozuar ndaj rrezikut. Zakonisht për meshkujt është mosha 40 vjeç. Aty fillon dhe rritet rreziku i sëmundjeve të zemrës dhe për femrat mbas menopauzës, zakonisht mbas moshës 50 vjeç. Faktorët e dytë janë historia e familjes. Në qoftë se në familje ke pasur raste të tjera, faktorë të tjerë janë sëmundje që mund të ekzistojnë. Për shembull po të kesh tensionin e gjakut të lartë ose të jesh në mbipeshë ose të kesh yndyrna e larta. Dhe faktori tjetër është duhanpirja. Janë faktorë të njohur dhe mungesa e lëvizjeve”, thotë ajo.

Alushi paralajmëron gjithashtu se temperaturat ekstreme, të kombinuara me konsumimin e alkoolit, mund të krijojnë një rrezik të shtuar për një infarkt të mundshëm.

 “Alkooli me i kombinuar me temperaturat e larta shkakton infarkt miokardi nëpërmjet këtij mekanizmi. Një herë në vit të paraqitesh te mjeku Edhe pse nuk ke absolutisht asnjë lloj simptome dhe e nden veten mirë, njëherë për të kontrolluar si është statusi në bazë”, shton Alushi.

Shifrat konfirmojnë se sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, gjatë vitit 2025, 52.9% e të gjitha vdekjeve në vend u shkaktuan nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut.

Prej këtyre, 42.2% e rasteve lidhen me sëmundjet kronike të zemrës, 22.4% me sëmundjet ishemike të zemrës dhe 18.8% me sëmundjet e enëve të trurit.

Megjithëse numri total i vdekjeve në vend ra me 3.2% gjatë vitit 2025, duke zbritur nga 22.102 në 21.394 raste, sëmundjet e zemrës vijojnë të mbeten kërcënimi më i madh për jetën e shqiptarëve.