TIRANE- Kuvendi i Shqipërisë duket se do t'i kushtojë më shumë rëndësi mirëmbajtjes së ambienteve të brendshme dhe të jashtme të tij.

Për këtë qëllim ky institucion ka vendosur që të shpenzojë rreth 16 milionë lekë të vjetra, të cilat do të shkojnë për mirëmbajtjen e godinave në Kuvend.

Administrata e Kuvendit ka paraqitur ofertën për prokurim publik për të realizuar mirëmbajtjen e godinave të Kuvendit, ku sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Prokurimeve Publike, kontraktori i tenderit për mirëmbajtjen e godinave të Parlamentit është HYSI-2F. Fondi limit në total ka qenë: 2,158,113 Lek pa TVSH, ndërkohë që vlera e kontratës që është bërë ka që 1,621,250 lek pa TVSH.

Ndërkohë që pas largimit të ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, ky është tenderi i parë që ka bërë ky institucion në lidhje me mirëmbajtjen e tij. Më parë Topalli ka bërë tenderin e fundit të saj në lidhje me blerjen e 140 kompjuterave të vendosura në sallën parlamentare.

Edhe pse kjo nismë e ishkryeparlamnetares ishte marrë që në vitin 2012 sipas procedurave të rregullta ligjore për prokurimin publik, ajo dështoi, pasi asnjë nga deputetët nuk e ka ndezur më kompjuterin që pas seancës së parë parlamentare. Kjo nismë e Topallit u prit mes akuzash për shpenzime të shuhmta dhe të kota si dhe mes batutave, duke e konsideruar sallën e Parlamentit si një “internet-kafe”.


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)