MELBOURNE - Turneu 'Australian Open' po përballet me një alarm të pazakontë, ku kundërshtari më i rrezikshëm për shumë tenistë nuk është ai përballë në fushë, por një virus gastrointestinal misterioz. Kushtet klimatike ekstreme në Melbourne, me luhatje të forta temperaturash nga 42 në 18 gradë Celsius, duket se kanë ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e sportistëve.
Sipas raportimeve nga turneu, disa lojtarë janë ndjerë keq gjatë dhe pas ndeshjeve, ndërsa ka pasur raste kur edhe mbledhësit e topave janë rrëzuar nga lodhja dhe temperaturat e larta.
Pamja simbol e situatës ishte ajo e Luciano Darderi, menjëherë pas fitimit të ‘match point’ kundër Garin, italiani hoqi dorë nga çdo festë, shtrëngoi me nxitim dorën e kundërshtarit dhe u drejtua me vrap drejt tualetit. “Duhet të shkoj në tualet”, u shpreh ai mes shqetësimit.
Situata u përkeqësua për Flavio Cobolli, i cili u detyrua të tërhiqej nga turneu pasi u ndje papritur keq. Edhe francezi Hugo Gaston u dorëzua ndaj Jannik Sinner pas dy seteve, për shkak të dhimbjeve, ndërsa belgu Collignon gjithashtu ngriti flamurin e bardhë për probleme fizike.
Një situatë e ngjashme ishte përjetuar edhe vitin e kaluar nga vetë Jannik Sinner, në ndeshjen kundër Holger Rune. “Ka shumë tension, vapë ekstreme dhe djersisim shumë. Nëse nuk hidratohesh siç duhet, rreziku është i madh”, ka shpjeguar tenisti italian, duke përmendur edhe rastet e Auger-Aliassime dhe Collignon.
Në këto kushte, organizatorët dhe stafet mjekësore po kërkojnë kujdes maksimal, ndërsa tenistët janë të detyruar të menaxhojnë me vëmendje energjitë, hidratimin dhe rikuperimin, për të shmangur kontraktimet dhe problemet shëndetësore që mund të shkatërrojnë një nga turnetë më të rëndësishëm të tenisit botëror.
Komente








