MELBOURNE - Pas 3 orë e 02 minutash lojë, Carlos Alcaraz ia ka dalë të triumfojë 3-1 me sete kundër Novak Djokovic në finale dhe të sigurojë për herë të parë trofeun e Australian Open, sukses që i mungonte në kabinetin e trofeve. Në moshën 22 vjeç e 272 ditë, Alcaraz bëhet lojtari më i ri që ka përfunduar një Grand Slam në karrierë dhe lojtari i nëntë në histori që e arrin këtë.
Spanjolli që është numri një në botë përmbysi Djokovicin (numri 4) dhe në fund fitoi me sete (2-6, 6-2, 6-3 dhe 7-5), në një duel që për tifozët e pranishëm ishte shumë i veçantë.
Seti i parë i ndeshjes foli për serbin Djokovic, që në këtë turne ka 10 trofe nga 21 pjesëmarrje. Por spanjolli ishte më këmbëngulës dhe përmbysi gjithçka në vijim, konkretisht 6-2 dhe 6-3. Megjithatë 38-vjeçari Djokovic nuk u dorëzua dhe rezistoi në setin e fundit që zgjati mbi një orë.
Paçka përvojës së Djokovic, është Alcaraz që vijon të fitojë dhe të tregojë se jo më kot është numri një në botë. Lot gëzimi për spanjollin që e ka suksesin e parë në Australian Open. Alcaraz 'vret' kështu ëndrrën e Djokovic për të marrë titullin e 25-të Grand Slam në karrierë.
Nga tribunat këtë finale e ndoqi edhe një legjendë si Rafael Nadal.
Komente









