KANADA - Kongresi i 76-të i FIFA-s ishte skena e një momenti të sikletshëm të enjten. Presidenti Gianni Infantino priti në skenë përfaqësues nga federatat izraelite dhe palestineze e futbollit, në eventin e mbajtur në Vancouver të Kanadasë. Megjithatë, ndërsa përpiqej t'i bënte ata të shtrëngonin duart, ai humbi kontrollin e situatës.
Palestinezi Jibril Rajoub refuzoi t’i shtrëngonte duart Basim Sheikhun, nënkryetarit të Federatës Izraelite. Përplasja zgjati disa minuta, përpara një audience të përbërë nga zyrtarë nga të gjitha vendet anëtare të FIFA-s dhe të ftuar.
Infantino këmbënguli dhe u përpoq ta bindte Rajoubin të shtrëngonte duart me Sheikhun, i cili qëndroi i heshtur gjatë gjithë kohës. Ai (Infantino) madje u ngjit në podium dhe foli në mikrofon, duke thënë se të gjitha federatat duhet t'i dërgojnë një mesazh uniteti botës dhe veçanërisht fëmijëve.
Të dy zyrtarët thjesht përshëndetën Infantinon dhe u larguan nga skena. Përpara se t’i thoshte mirupafshim presidentit të FIFA-s, Rajub foli disa fjalë me zë të lartë në arabisht. Susan Shalabi, nënkryetare e federatës palestineze dhe gjithashtu e pranishme, i transmetoi agjencisë së lajmeve Reuters atë që kishte thënë bashkëkombasi i saj.
"Nuk mund t’i shtrëngoj duart dikujt që izraelitët e sollën për të mbuluar fashizmin dhe gjenocidin e tyre. Ne po vuajmë", tha ai.
Ndërkohë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi qëllimin e tij për të kandiduar për një mandat të katërt vitin e ardhshëm.
Lajmi kryesor:
Infantino konfirmoi Iranin në Botëror, Trump: Nëse e thotë ai, unë jam në rregull! Zyrtarët iranianë kthehen pas nga Kanadaja
Komente











