Tensione para Kuvendit të Kosovës, ndërsa votimi për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara ka ngecur në përplasjen mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së për atë që duhet të ndodhë më parë: votimi përfundimtar i ligjit apo zgjedhja e presidentit të ri.

Protestuesit e mbledhur rreth Kuvendit kanë penguar deputetin e Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi, që të largohej nga oborri i institucionit. Disa prej tyre e kapën me forcë dhe e 'fluturuan mbi gardhin e vendosur nga Policia, duke e kthyer brenda hapësirës së Kuvendit.

Protestuesit paralajmëruan se nuk do të lejojnë deputetët të largohen pa u votuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Më herët, ata penguan të largohej edhe ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili nuk është deputet. Bislimi u kthye nën përcjelljen e Policisë pasi disa protestues e kapën për krahu.

Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, ka bërë thirrje që qytetarët t'i bashkohen protestës, ndërsa ka deklaruar se deputetët "mund të dalin vetëm mbi trupat tanë".

Tensionet vijnë pasi Kuvendi miratoi në parim ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, por votimi përfundimtar në lexim të dytë është përplasur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.

LVV kërkon që Kuvendi të zgjedhë fillimisht presidentin, pasi afati kushtetues përfundon më 6 tetor, dhe më pas të votojë në lexim të dytë ndryshimet për Specialen. PDK-ja kërkon të kundërtën: fillimisht votimin përfundimtar të ligjit dhe më pas zgjedhjen e presidentit.

Për të gjetur një marrëveshje, Albin Kurti dhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza, zhvilluan një takim, i cili përfundoi pa ndonjë njoftim nëse palët kanë arritur dakordësi. Pas takimit është mbledhur grupi parlamentar i PDK-së.

Instituti i Kosovës për Drejtësi reagoi ndërkohë ndaj incidenteve, duke u kërkuar protestuesve të mos pengojnë fizikisht deputetët. Sipas IKD-së, protesta dhe presioni politik nuk mund të shndërrohen në presion fizik ndaj të zgjedhurve.


Lajmi kryesor:

Tensionohet situata në Kosovë, kërkohet votimi përfundimtar i ligjit për Specialen! Përleshje me Policinë e gaz lotsjellës, Kurti-Hamza mbyllin takimin pa marrëveshje