TIRANË- Për 9 orë, në qendër të Tiranës u zhvillua një guerrilje urbane, pas një proteste të thirrur përpara Ministrisë së Arsimit. E kamufluar si protestë studentore, por e sponsorizuar nga Partia Demokratike e Sali Berishës, ajo që u pa në rrugët e kryeqytetit ishin skena dhune, ku protagonistë nuk ishin studentët, por militantë me fytyra të mbuluara, të cilët shkatërruan gjithçka që u doli përpara, përfshirë edhe bankomatet.

Arena e dhunës nisi në orën 14:00 te Ministria e Arsimit, në mbrëmje u zhvendos në hyrje të “Rrugës së Durrësit”, ndërsa aktet e dhunës u përshkallëzuan me hyrjen e disa protestuesve të maskuar brenda në Bashkinë e Tiranës, ku në katin e parë arritën të ndezin flakadanë. Në orët e fundit të protestës, në rrugët e kryeqytetit mbetën grupe të vogla protestuesish të maskuar, të shpërndarë në disa pika për t’iu shmangur Policisë, të cilët vijuan aktet e vandalizmit duke vënë flakë, siç ndodhi edhe te Pazari, te Rruga e Barrikadave, në afërsi të Brrylit dhe pranë Prokurorisë së Tiranës.

Askush nuk e ka shpjeguar qartë se cilat ishin kërkesat e protestuesve dhe përse kishin zgjedhur të protestonin pikërisht sot, në një ditë kur Shqipëria hodhi një tjetër hap përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Deri më tani raportohet për 40 të shoqëruar dhe 19 të lënduar: 6 efektivë policie, 2 gazetarë, 8 protestues dhe 3 kalimtarë, njëri përfaqësues i trupit diplomatik. 

Me thirrjet “dorëheqje”, “revolucion”, “ju erdhi fundi”, ata fillimisht protestuan të qetë për një orë para Ministrisë, por rreth orës 15:00 nisën aktet e dhunës. Vezë, molotovë, gurë e letra higjienike u hodhën në drejtim të godinës, ndërsa me bojë lanë disa mbishkrime mbi mure “turp”, “Ikni”, “këtu vendosim ne”. Raportohet për 40 të shoqëruar deri më tani.

Dhuna duket një strategji e menduar nga protestuesit, të cilët vijën e parë dhe sulmet ia kishin lënë një grupi të rinjsh me masa të zeza apo kirurgjikale me qëllim që mos të identifikoheshin nga policia. Të rinjtë shkulën kangjellat e trotuarit dhe nisën t’i hedhin në drejtim të godinës. Sulmuan me kangjella edhe një prej portave të Ministrisë, çka bëri që një grup protestuesish të futeshin brenda oborrit të godinës.

Deri në këto momente forcat e policisë nuk kishin ndërhyrë. Menjëherë krijuan një kordon sigurie brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit. Pavarësisht thirrjeve të bluve, protestuesit nuk i ndalën sulmet, kësaj radhe edhe në drejtim të vetë efektivëve. Të rinjtë e maskuar hodhën edhe pllaka trotuari drejt godinës së Ministrisë së Arsimit, ku thyen edhe disa xhama.

Policia ndërhyri duke hedhur spraj me piper, gaz lotsjellës si dhe sasi të mëdha uji dhe fillimisht arriti të shtyjë turmën e dhunshme larg godinës së ministrisë. Protestuesit e ringjallën për disa herë aksionin e dhunshëm. Më pas efektivët vendosën një perimetër sigurie që nisi nga Ministria e Arsimit e deri në qendër të kryeqytetit.  Protestuesit u dukën sikur u shpërndanë. Por të organizuar me dy grupe, ata vijuan përplasjen me forcat e policisë, duke u kthyer herë pas herë në afërsi të Ministrisë. Policia forcoi kapacitetet në Rrugën e Durrësit ndërsa përgjigjej me gazlotsjellës dhe ujë për të mos i lejuar të afroheshin.

Turma u rikthye në hyrje të rrugës, këtë radhë duke u vënë flakën objekteve të ndryshme të bizneseve. Sulmit nuk i shpëtoi edhe një institucion financiar që u shkatërrua plotësisht. Në mbrëmje, rreth orës 20:30 aktet e dhunës u përshkallëzuan. Protestuesit e maskuar arritën të futen në bashkinë e Tiranës dhe të ndezin flakadanë e të thyejnë çfarë gjetën para.

Edhe pse u promovua si protestë e studentëve ndaj kushteve në të cilat gjendet arsimi, në të morën pjesë jo vetëm “Flamingot” por edhe eksponentë të opozitës si deputeti Gjin Gjoni Ilirjana Kuçana e PD, eksponentë të FRPD, deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri deri të dhëndri i Sali Berishës Jamarbër Malltezi i cili ishte në terren duke ndarë video nga protesta në rrjetin e tij social Facebook.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:00
Të lënduarit në protestë, 7 deputetë të PD shkojnë te spitali i Traumës! Nesër në 12:00 mbledhje grupi

Në Spitalin e Traumës ku ndodhen 7 të lënduar, mes tyre një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, kanë shkuar edhe deputetë të Partisë Demokratike.

Konkretisht mësohet se atje ndodhen Jorida Tabaku, Belind Këlliçi, Ledina Alolli, Gjin Gjoni (i cili ishte edhe në protestë), Klodjana Çapja, Greta Bardeli, Gent Strazimiri.

Mësohet gjithashtu se grupi parlamentar i PD do të mbajë ditën e nesërme në orën 12:00 një mbledhje urgjente.

Ora 22:46
Incidentet në protestë, ministrja Spahiu: Te Spitali i Traumës po trajtohen një police, 4 protestues dhe 2 kalimtarë

7 të lënduar ndodhen te Spitali i Traumës. Konkretisht po marrin trajtim një police, 4 protestues dhe 2 kalimtarë, jashtë rrezikut për jetën, bën me dije ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu.

Më herët, në këtë qendër spitalore kanë marrë ndihmë 6 efektivë të forcave speciale 2 gazetarë dhe 4 kalimtarë. Në QSUT momentalisht nuk raportohet për të lënduar. Më herët aty u trajtuan një diplomat i huaj, një gazetar dhe 6 protestues.

Sipas bilancit, në total janë trajtuar 26 të lënduar.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon mbi situatën shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, bazuar në informacionin e raportuar nga strukturat spitalore.

Në Spitalin Universitar të Traumës, aktualisht po trajtohen një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), kanë marrë trajtim dhe janë larguar , një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe 6 protestues.

Ministria thekson se kujdesi shëndetësor për çdo person të lënduar ofrohet pa dallim, në përputhje me gjendjen klinike dhe nevojat mjekësore të secilit.

Situata po ndiqet në vijimësi, përmes komunikimit të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore. Informacioni mbi numrin e personave të trajtuar dhe gjendjen e tyre shëndetësore përditësohet në bazë të të dhënave të verifikuara nga strukturat përkatëse.

Ministria falënderon ekipet e urgjencës, mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët shëndetësorë për angazhimin dhe kujdesin e ofruar”, tha Spahiu.

Ora 22:17
‘Ka dy protestues të intubuar’/ Reagon MIA: E pavërtetë, mos shpërndani informacione të rreme, informohuni nga burimet zyrtare

Agjencia për Media dhe Informim ka hedhur poshtë pretendimet që po qarkullojnë në rrjetet sociale se ka dy protestues në intubim. Agjencia u kërkon qytetarëve të mos shpërndajnë informacione të pavërteta si dhe bën thirrje që të informohen nga burime zyrtare dhe të besueshme.

Deklarata:

E pavërtetë!

Informacioni që po qarkullon në disa faqe në Instagram dhe platforma të tjera, sipas të cilit dy studentë ndodhen në intubim, është i pavërtetë! Mos bini pre e dezinformimit!

U bëjmë thirrje qytetarëve të mos besojnë dhe të mos shpërndajnë informacione të pavërtetuara, të cilat krijojnë panik dhe shqetësim të panevojshëm te publiku dhe familjarët.

Agjencia për Media dhe Informim u bën thirrje qytetarëve të informohen vetëm përmes burimeve zyrtare dhe të besueshme, duke shmangur burimet që përhapin informacione të rreme apo çorientuese.

Informacioni zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës, qofshin protestues apo punonjës të Policisë së Shtetit, përcillet nga institucioni kompetent, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale.

Ora 22:07
Protestuesit zhvendosen te rruga ‘Bardhyl’, djegin sërish kosha mbeturinash (VIDEO)

 

Protesta tashmë është shtrirë në një tjetër zonë të kryeqytetit. Protestuesit janë vendosur edhe te kryqëzimi mes rrugëve “Hoxha Tahsin” dhe “Bardhyl” ku po djegin disa kosha plehrash.

Ora 22:03
Protestuesi hipën në shtyllën elektrike, thyen kamerat e sigurisë (VIDEO)

 

Një protestues ka hipur në një shtyllë elektrike për të thyer kamerat e sigurisë.

Ora 21:52
Protestuesit djegin koshat e mbeturinave pranë Prokurorisë së Tiranës (VIDEO)

 

Disa protestues që kanë marrë rrugën ku ndodhet Prokuroria e Tiranës kanë djegur të tjerë kosha mbeturinash aty.

Ora 21:46
Akte të tjera dhune nga protestuesit, u vënë flakën tezgave në ‘Pazarin e Ri’! Qytetarët përpiqen të shuajnë flakët (VIDEO)

 

Tjetër zhvendosje regjistrohet nga protestuesit. Tanimë ata kanë vijuar drejt Pazarit të Ri, ku u kanë vënë flakën edhe disa tezgave.

Kujtojmë që rreziku për përhapjen e flakëve është mjaft i lartë për shkak të materialeve drusore që ndodhen në këtë zonë të kryeqytetit.

Një qytetar po përpiqet të shuajë flakët, ndërsa po kontribuojnë edhe pronarët e bizneseve.

Ora 21:14
19 të lënduar nga protesta/ Gazetari goditet me tullë në kokë, nën kujdes mjekësor edhe një punonjës i trupit diplomatik

Është rritur bilanci i të lënduarve, të cilët tanimë numërohen 19 nga 13 që ishin më parë.

Në Spitalin e Traumës ndodhen 6 të lënduar nga protesta e sotme, prej të cilëve 4 protestues e 2 kalimtarë, jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, 6 efektivë policie dhe dy gazetarë janë larguar pasi kanë marrë mjekimin. Një prej gazetarëve është lënduar me tullë në kokë.

Te spitali “Nënë Tereza” po merr trajtim një kalimtar, punonjës i trupit diplomatik. Gjithashtu janë mjekuar edhe 4 protestues, të cilët më pas janë larguar.

Ora 20:55
Protesta në Tiranë, ambasada e SHBA-qytetarëve: Ka përshkallëzuar në dhunë, shmangni tubimet, mund të ketë bllokime rrugësh

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar për protestën për të cilën shkruan se ka degraduar në akte dhune. Ambasada u bën thirrje qytetarëve të shmangin tubimet, të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë, ndërsa paralajmëron për bllokime rrugësh.

Reagimi i plotë i ambasadës amerikane

Një protestë në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, është aktualisht në zhvillim dhe është përshkallëzuar në dhunë për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të shtrihet edhe në rrugët dhe blloqet përreth, si dhe pranë godinave qeveritare, duke sjellë një prani të shtuar të forcave të Policisë, ndërprerje të qarkullimit, devijime të trafikut dhe bllokime të rrugëve.

Personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar të shmangë demonstratat. Ju lutemi, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për t'u informuar mbi zhvillimet më të fundit.

Masat që duhet të merrni:

Forconi masat për sigurinë tuaj personale duke zbatuar këto këshilla:

- Shmangni demonstratat.

- Jini të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth jush. Kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonave apo kufjeve, kur ndodheni në ambiente publike.

- Ndiqni mediat lokale për t'u informuar mbi zhvillimet.

- Mbani gjithmonë një plan emergjence ose një strategji për t'u larguar në rast rreziku.

- Shmangni tërheqjen e vëmendjes dhe përpiquni të qëndroni sa më pak të ekspozuar.

Ora 20:53
Vijojnë trazirat, protestuesit u vënë flakën stendave (VIDEO)

 

Tani protestuesit ndodhen në “Rrugën e Barrikadave” ku po djegin kosha mbeturinash dhe tezga tregtarësh.

Ora 20:45
Protesta në Tiranë, ‘paralizohet’ rruga te ‘Selvia’! Makinat hyjnë në kundravajtje (VIDEO)

 

Protesta në Tiranë ka sjellë edhe bllokim trafiku te zona e ‘Selvisë’.

Për shkak të këtij kaosi makinat po lëvizin në kundravajtje.

Ora 20:37
Protestuesit shkojnë te bulevardi ‘Zogu I’, hedhin fishekzjarrë

1791916698_protestatkunderqeverise.jpg

Një grup protestuesish duken të jenë pozicionuar te bulevardi “Zogu I” duke hedhur fishekzjarrë.

Ora 20:33
Protestuesit thyejnë stolin e mermertë, e hedhin në rrugë

1791916435_protestatkunderqeverise.jpg

Në hyrje të sheshit ‘Skënderbej’, protestuesit kanë thyer një prej stolave të mermertë, të cilin e kanë ndarë më dysh. Më pas disa prej tyre bëhen bashkë për ta ngritur dhe hedhur drejt rrugës, ku kalojnë automjetet.

Ora 20:28
Protestuesit hyjnë në bashkinë e Tiranës, thyejnë xhama e objekte! Shoqërohen disa prej tyre

1791915766_vMixCapture13October2026202130.jpg

Xhama të thyer, dyer të hedhura në tokë... kjo është pamja e parë që shihet tanimë nga bashkia e Tiranës, e shkaktuar nga protestuesit.

Ata kanë thyer edhe disa instalacione në korridor. Policia ka shoqëruar edhe disa protestues, si dhe ndërhyri për fikjen e një zjarri.

Ora 20:25
Protestuesit e maskuar i vënë flakën tabelës së reklamave në bulevardin ‘Zogu I’ (VIDEO)

 

Protestuesit kanë vijuar me trazirat në kryeqytet.

Njëri prej tyre i maskuar ka djegur një tabelë reklamash në bulevardin ‘Zogu I’.

Ora 20:21
Protestues të maskuar mësyjnë bashkinë e Tiranës, ndezin flakadanë brenda saj (VIDEO)

 

Protestues të maskuar kanë hyrë brenda bashkisë së Tiranës. Ndërkohë vijojnë me hedhjen e gurëve drejt institucionit. Ata po ndezin flakadanë, moment që e kanë shoqëruar me thirrje entuziaste.

Ora 20:19
Protestuesit shkojnë te bashkia e Tiranës, godasin godinën me sende (VIDEO)

 

Protestuesit kanë vijuar me zhvendosjen e protestës dhe tani janë pozicionuar para bashkisë së Tiranës, drejt së cilës po flakin sende të ndryshme, si kapsollët, ndërsa bëjnë edhe thirrje të ndryshme.

Ora 20:12
Trazira nga protestuesit, shkulin pllakat për të sulmuar policët e autobotët! Bllokojnë rrugën me kangjellat e shkatërruara

1791915168_protestatkunderqeverise.jpg

Protesta tani është vendosur në hyrje të sheshi ‘Skënderbej’ ku protestuesit po vijojnë të shkulin pllakat e trotuareve dhe i hedhin drejt policisë e autobotëve në ujë.

Ata po përdorin edhe kangjellat e shkulura për t’i hedhur në mes të rrugës duke bllokuar qarkullimin.

Ora 20:04
Të tjera incidente nga protestuesit, thyejnë xhamat e autobusëve dhe djegin koshat e mbeturinave (VIDEO)

 

Sulmet e protestuesve vijojnë të krijojnë incidente të herëpashershme. Dy autobusëve të linjave urbane u kanë thyer xhamin e përparmë.

Gjithashtu, u kanë vënë edhe flakën koshave të mbeturinave, të cilët i kanë tërhequr në mes të rrugës.

Ora 19:33
FOTOLAJM/ Pas dhëndrit të Berishës, edhe deputeti Gjin Gjoni në protestën te Ministria e Arsimit

Në rrjet u promovua si një protestë e studentëve për gjendjen e arsimit, por para Ministrisë së Arsimit në protestë nuk ishin vetëm grupi i flamingove, por edhe eksponentë të opozitës. Një ndër ta edhe deputeti i PD-së, ish-gjyqtari sheik Gjin Gjoni. Ai është fotografuar në mesin e protestuesve në mbrëmje, ndërsa po vijonin aktet e dhunës në rrugë.

Në protestë janë para edhe eksponentë të tjerë të opozitës, nga anëtarë të FRPD-së, te Ilirjana Kuçana, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, por edhe dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi.

Ora 19:13
Tensionet në protestë/ 13 të lënduar paraqiten në spital, mes tyre dy gazetare e 6 policë! Kalimtari përfundon i shtruar

1791911678_1786987900qsut.jpg

13 persona në total janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë pas incidenteve në protestën e sotme. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në spitalin “Nënë Tereza” janë paraqitur 3 protestues me shqetësime ndaj gazit lotsjellës. Prej tyre, vetëm njëri vijon ekzaminimet.

Te Spitali i Traumës, kanë marrë ndihmë dy gazetare dhe 6 policë që pasi kanë marrë ndihmën, janë larguar.  

Edhe dy kalimtarë kanë kërkuar ndihmën e bluzave të bardha, nga të cilët njëri është shtruar në spital kurse tjetri është nën monitorim.

Njoftimi:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se strukturat shëndetësore kanë qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje për ndihmë mjekësore gjatë protestës dhe pas përshkallëzimit të saj.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.

Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias, të cilat, pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillën e mjekut.

Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim nga mjekët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe strukturat shëndetësore mbeten në gatishmëri për të garantuar ofrimin në kohë të kujdesit mjekësor për çdo person që paraqet nevojë.

Ora 19:01
Protesta, Avokati i Popullit: Po hetojmë përdorimin e forcës nga policia! Monitorojmë respektimin e të drejtave të të shoqëruarve

Avokati i Popullit ka nisur një hetim për përdorimin e forcës nga policia në protestë, nëse ka qenë i domosdoshëm dhe proporcional. Pranë të shoqëruarve në Bllokun e Sigurisë dhe në komisariate ndodhet një grup monitorimi për të verifikuar nëse po respektohen të drejtat e tyre.

Reagimi i plotë:

Avokati i Popullit ka nisur, sipas detyrës, një hetim administrativ mbi përdorimin e forcës nga Policia gjatë protestës së sotme. Vlerësimi bëhet sipas neneve 2, 3 dhe 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për të përcaktuar nëse përdorimi i forcës ka qenë i domosdoshëm dhe proporcional.

Grupet e monitorimit të institucionit janë në Bllokun e Sigurisë dhe pranë komisariateve ku mbahen personat e shoqëruar. Po verifikohet nëse u garantohen e drejta për avokat, njoftimi i familjes dhe ekzaminimi mjekësor.

Përtej hetimit kryesisht, Avokati i Popullit fton çdo qytetar që beson se të drejtat e tij janë shkelur, t’i drejtohet institucionit me ankesë individuale.

Ora 18:54
VIDEO/ Momenti kur protestuesit shkatërrojnë filialin e ‘Iute Credit’, marrin mobiliet dhe i flakin në zjarr! Një i maskuar thyen dhe ‘gërmon’ në bankomat

Aktet e dhunës së protestuesve përshkallëzuan edhe ndaj bizneseve private. Në orët e mbrëmjes një grup protestuesish të maskuar shkatërruan plotësisht filialin e institucionit financiar ‘Iute Credit’, i cili ndodhet ngjitur me ambasadën e Vatikanit në hyrje të rrugës së Durrësit.

Protestuesit u zhvendosën aty pas përplasjeve te Ministria e Arsimit. Siç shihet edhe në pamje, protestuesit kanë thyer totalisht xhamat e ‘Iute Credit’ dhe janë futur brenda për të marrë mobiliet që më pas i hedhin në zjarret që kanë vendosur në mes të rrugës.

Në momentin e mësymjes në iute credit, një protestues po ashtu i maskuar, shihet teksa ka shkatërruar bankomatin e parave dhe kërkon me duar brenda tij.

 

 

Ora 18:37
Tensione në protestë/ Protestuesit ndezin tre zjarre në ‘Rrugën e Durrësit’ (VIDEO)

 

Protestuesit kanë ndezur tre zjarre te “Rruga e Durrësit.” Njëri është në fillim të “Rrugës së Durrësit”, një te degëzimi me “Mine Pezën”, ndërsa po digjet edhe një tabelë reklamash.

Vihet re se situata vijon e tensionuar. Pas përpjekjes së policisë për t’i shpërndarë, protestuesit janë rikthyer.

Ora 18:05
Sërish tensione, protestuesit dhunojnë policin, një i shoqëruar (VIDEO)

 

Një grup protestuesish ka sulmuar fizikisht një polic. Është shoqëruar një prej protestuesve, i cili ndodhej në një biçikletë.

Ora 17:56
Protesta bllokon qarkullimin, trafik i rënduar! Unaza nuk funksionon plotësisht

1791907055_protestatkunderqeverise.jpg

Protesta në “Rrugën e Durrësit” te Ministria e Arsimit ka krijuar bllokim të qarkullimit dhe trafik. Disa rrugë kanë mbingarkesë dhe ka devijim të qarkullimit. As Unaza nuk funksionon plotësisht.

Ora 17:47
6 efektivë u lënduan nga protestuesit, reagon Demo: Dhuna e pajustifikueshme, e dënoj pa rezervë! Pjesëmarrësit të ruajnë qetësinë (VIDEO)

 

Ministri i Brendshëm Ervin Demo dënon dhunën e protestuesve ndaj policisë. Ai shpreh mbështetje dhe solidaritet të plotë ndaj efektivëve të lënduar.

Protestuesve u thotë se dhuna nuk justifikohet dhe goditja e policëve s’është ushtrim i së drejtës për të protestuar. Ai kërkon përmbajtje nga të gjitha palët për të ulur tensionet.

Reagimi i plotë:

"Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar.

U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, dhuna nuk justifikohet.

U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë.

Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.

Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve", shkruan ministri i Brendshëm.

Ora 17:47
Protestuesit e maskuar vendosin kangjellat e shkulura në mes të rrugës, tentojnë të bllokojnë autobotin e ujit (VIDEO)

 

Report Tv sjell videot të momentit kur një grup protestuesish të maskuar vendosin në mes të rrugës kangjellat që kanë shkulur nga trotuaret. Ata tentojnë të bllokojnë rrugën për autobotin e ujit, pas të cilit ndodhen edhe policët. Protestuesit i sulmuan efektivët edhe me gurë.

Ora 17:40
Protesta te Ministria e Arsimit, momenti kur protestuesit sulmojnë me gurë policët dhe autobotët e ujit (VIDEO)

 

Report Tv sjell një tjetër pamje nga protesta para ministrisë së Arsimit. Protestuesit dallohen teksa qëllojnë me gurë në drejtim të autobotëve të ujit dhe policëve.

Ora 17:36
Tensionet në protestë, reagon policia: 23 të shoqëruar, janë lënduar 6 efektivë dhe një gazetare

1791904405_makina4ujesjelles.jpg

Policia ka reaguar lidhur me zhvillimet e ndodhura në protestën para Ministrisë së Arsimit duke renditur incidentet dhe veprimet e dhunshme të protestuesve.

Për shkak të mosbindjes së tyre ndaj thirrjeve të përsëritura të policisë, janë shoqëruar 23 protestues. 6 efektivë të Forcës së Sigurisë janë lënduar, si dhe gazetarja Fatime Halmusa, të gjithë jashtë rrezikut për jetën.

Policia shprehet se garanton të drejtën e qytetarëve për protestë, por bën thirrje që të mos ketë veprime kundër ligjit dhe rendit publik.

Deklarata e plotë:

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë tubimit që do të zhvillohej mesditën e sotme, në afërsi të godinës së Ministrisë së Arsimit, Policia e Shtetit hartoi një plan masash, në zbatim të ligjit dhe procedurave standarde të punës.

Gjatë zhvillimit të tubimit, një grup pjesëmarrësish kanë kryer veprime të dhunshme, duke dëmtuar rrethimin e jashtëm dhe më pas për të hyrë në oborr, kanë dëmtuar edhe portën hyrëse. Gjithashtu, kanë vijuar të thyejnë dhe të dëmtojnë me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e godinës.

Punonjësit e Policisë u kanë bërë thirrje të ndalonin sulmin ndaj institucionit, por ata kanë vijuar të godasin punonjësit e Policisë me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.

Punonjësit e Policisë u kanë bërë sërish thirrje personave të dhunshëm që të ndalonin sulmin dhe të dilnin nga oborri i godinës së Ministrisë, por pjesëmarrësit nuk u janë bindur thirrjeve të përsëritura të Policisë.

Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.

Njëkohësisht, kanë shoqëruar 23 prej tyre për veprime të mëtejshme procedurale

Si pasojë e sulmit nga persona të maskuar, pjesëmarrës në protestë, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një shtetase, gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në veprime të paligjshme gjatë këtij tubimi.

Policia e Shtetit thekson sërish angazhimin e saj për të garantuar plotësisht ushtrimin e së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor dhe fton pjesëmarrësit në tubime që të mos bëhen pjesë e veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, pasi do të përballen me pasojat penale që parashikon ligji.

Ora 17:08
Protestuesit i vënë zjarrin tabelës reklamuese në rrugë (VIDEO)

 

Protestuesit i kanë vënë flakën një tabele reklamash në hyrje të “Rrugës së Durrësit.” Më herët, ata dogjën edhe disa kartonë në mes të rrugës.

Ora 16:47
‘Të shqyej po e preke’, protestueset kundërshtojnë policinë, refuzojnë të largohen nga “Rruga e Durrësit” (VIDEO)

 

Dy protestuese, një vajzë dhe një grua që duket të jetë nëna e saj, kanë kundërshtuar kërkesën e policisë për t’u larguar nga “Rruga e Durrësit.”

Polici: Ec para!

Thirrje: Mos i arresto nënën dhe motrën tënde!

Gruaja: Prek me dorë ti fëmijën tim, unë të shqyej!

Vajza: Unë jam studentja që dal në protestë para jush!

Gruaja: Çfarë jeni ju?

Polici: Mos prek me dorë thashë!

Ora 16:31
Protesta te Ministria e Arsimit, policia shpërndan protestuesit në rrugët dytësore (VIDEO)

 

Policia ka nisur me shpërndarjen edhe të protestuesve që janë pozicionuar në rrugët dytësore pranë “Rrugës së Durrësit”, duke vendosur edhe kordon sigurie.

Ora 16:19
Protesta te Ministria e Arsimit, policia shoqëron protestuesin e gjakosur! Ilirjana Kuçana tenton të ndalojë efektivët (VIDEO)

 

Në kryqëzimin mes “Rrugës së Durrësit” dhe “Mine Peza”, po vijon përplasja mes protestuesve dhe policisë. Gjithashtu, një prej tyre është shoqëruar, ndërsa shihet i gjakosur në fytyrë.

Ilirjana Kuçana nga Partia Demokratike u përpoq ta ndalonte shoqërimin e tij, bashkë me disa protestues të tjerë.

Ora 16:10
Xhamat të bëra copash, pamjet e dëmeve të sulmit me pllaka trotuari ndaj Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

Një grup protestuesish të maskuar sulmuan më pllaka trotuari godinën e Ministrisë së Arsimit.  Këto janë dëmet që ka lënë pas sulmi, me xhamat e thyera dhe të bëra copash.

Ora 16:10
Tensionet në protestën te Ministria e Arsimit, një efektiv i lënduar (VIDEO)

 

Një efektiv policie është lënduar gjatë protestës së studentëve te Ministria e Arsimit. Ai është marrë në autoambulancë për ndihmë mjekësore.

Ora 16:06
Protestuesit i vënë flakën kartonëve në rrugën pranë Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Një grup protestuesish i kanë vënë flakën një grumbulli kartonësh dhe sende të tjera në mes të rrugës pranë Ministrisë së Arsimit.

Ora 16:01
Protestues të maskuar shkulin kangjellat buzë trotuarit te Ministria e Arsimit, hedhin molotov e kapsollë! Policia kundërpërgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës (VIDEO)

 

Protesta te Ministria e Arsimit ka marrë sërish hov. Protestuesit po hedhin gurë, sende të forta, kapsolla dhe po shkulin kangjellat në rrugë. Kangjellat buzë trotuarit janë shkulur nga një grup protestuesish të maskuar.

Policia po kundërpërgjigjet me ujë dhe ka krijuar një kordon sigurie. Njëkohësisht po përdoret edhe gaz lotsjellës nga policia, ndërsa protestuesit kanë hedhur edhe molotov.

Ora 15:59
Momenti kur të rinjtë e maskuar shkulnin kangjellat para Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Ky është momenti kur të rinj të maskuar shkulin kangjellat para Ministrisë së Arsimit

Ora 15:46
‘Nuk ju duam’, protestuesit lënë shkrime në muret e Ministrisë së Arsimit! Xhama të thyer, gjurmë boje e vezësh në fasadë (VIDEO)

 

Xhama të thyer, gjurmë boje të kuqe e vezësh dhe shkrime si ‘ikni’, 'rezisto' apo ‘nuk ju duam’ shihen mbi fasadën e godinës së Ministrisë së Arsimit.

Ora 15:24
Protesta te Ministria e Arsimit, rruga mbulohet nga gurët e hedhur nga protestuesit

Pllakat dhe gurët e hedhur nga protestuesit kanë mbushur rrugën përpara Ministrisë së Arsimit. Ata kanë shkulur pllakat në trotuare për t’i hedhur kundrejt godinës së institucionit, si dhe ndaj efektivëve.

Ora 15:21
Protesta te Ministria e Arsimit, një i moshuar humb ndjenjat! Largohet me ambulancë

Një i moshuar në protestën te Ministria e Arsimit ka humbur ndjenjat në rrugë. Pranë i janë gjendur protestuesit të cilët po përpiqen t’i japin ndihmën e parë. Ndërkohë ka mbërritur edhe ambulanca për ta dërguar në spital.

Ora 15:16
Përplasje fizike mes protestuesve e policisë, disa të shoqëruar (VIDEO)

 

Përplasje fizike po ndodhin midis policisë dhe protestuesve në protestën te Ministria e Arsimit. Një protestues shihet teksa bën rezistencë, ndërsa efektivët e kapin për ta shoqëruar. Mësohet se deri më tani ka disa shoqërime, por nuk ka ende një numër të saktë.

Sipas raportimeve, protestuesit janë ndarë në dy grupe, një pranë autobotit  me ujë dhe një pjesë tjetër e kufizuar nga kordoni i policisë. Të rinjtë po hedhin edhe vezë drejt efektivëve.

Ora 15:08
Pas akteve të dhunës te Ministria e Arsimit, Policia nis të shpërndajë protestuesit me ujë

 Pas akteve të dhunës te Ministria e Arsimit, Policia nis të shpërndajë protestuesit me ujë 

Ora 15:05
Protesta te Ministria e Arsimit, protestuesit hedhin fishekzjarre, policia tenton t’i shpërndajë me ujë e gaz lotsjellës

Protestuesit që po protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit kanë hedhur edhe fishekzjarre, flakadanë e ujë. Ndërkohë policia po përpiqet t’i shpërndajë duke hedhur ujë, spray me piper dhe gaz lotsjellës.

Ora 14:58
Protesta te Ministria e Arsimit, momenti kur të rinjtë e maskuar sulmojnë me pllaka trotuari godinën

 

Ky është momenti kur një grup të rinjsh të maskuar qëllojnë me pallka trotuari godinën e Ministrisë së Arsimit. Një prje tyre sulmon me kangella një prej portave të Ministrisë.