TIRANË- Një protestë e promovuar në rrjetet sociale nga grupi i “Flamingove” degradoi në akte dhune dhe sulm ndaj godinës së Ministrisë së Arsimit. Rreth orës 14:00, protestuesit u shfaqën para godinës. Me thirrjet “dorëheqje”, “revolucion”, “ju erdhi fundi”, ata protestuan të qetë për një orë para Ministrisë së Arsimit, po rreth orës 15:00 nisën aktet e dhunës. Vezë, kapsolla, gurë e letra higjienike u hodhën në drejtim të godinës, ndërsa me bojë lanë disa mbishkrime mbi mure “turp”, “Ikni”, “këtu vendosim ne”.
Dhuna duket një strategji e menduar nga protestuesit, të cilët vijën e parë dhe sulmet ia kishin lënë një grupi të rinjsh me masa të zeza apo kirurgjikale me qëllim që mos të identifikoheshin nga policia.
Të rinjtë shkulën kangjellat e trotuarit dhe nisën t’i hedhin në drejtim të efektivëve dhe godinës. Sulmuan me kangjella edhe një prej portave të Ministrisë, çka bëri që një grup protestuesish të futeshin brenda oborrit të godinës.
Deri në këto momente forcat e policisë nuk kishin ndërhyrë. Menjëherë krijuan një kordon sigurie brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit. Pavarësisht thirrjeve të bluve, protestuesit nuk i ndalën sulmet, kësaj radhe edhe në drejtim të vetë efektivëve. Të rinjtë e maskuar hodhën edhe pllaka trotuari drejt godinës së Ministrisë së Arsimit, ku thyen edhe disa xhama.
Policia ndërhyri duke hedhur spraj me piper, gaz lotsjellës si dhe sasi të mëdha uji nga autobotet që ishin në gatishmëri. Protestuesit e dhunshëm, efektivët i ndoqën, duke shoqëruar disa prej tyre. Një efektiv mbeti i lënduar dhe u dërgua në autoambulancë ku mori ndihmën e shpejtë. Një i moshuar humbi ndjenjat.
Pas rreth një ore betejë, protestuesit duket sikur u shpërndanë. Por të organizuar me dy grupe, ata po vijojnë përplasjen me forcat e policisë, duke u kthyer herë pas herë në afërsi të Ministrisë, ndërsa policia përgjigjet me gazlotsjellës dhe ujë.
Edhe pse u promovua si protestë e studentëve kundër kushteve në të cilat gjendet arsimi, në të morën pjesë jo vetëm “Flamingot” por edhe eksponentë të opozitës si Ilirjana Kuçana e PD, eksponentë të FRPD, deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri deri të dhëndri i Sali Berishës Jamarbër Malltezi i cili ishte në terren duke ndarë video nga protesta në rrjetin e tij social Facebook.
Lajmi në përditësim...

Dy protestuese, një vajzë dhe një grua që duket të jetë nëna e saj, kanë kundërshtuar kërkesën e policisë për t’u larguar nga “Rruga e Durrësit.”
Polici: Ec para!
Thirrje: Mos i arresto nënën dhe motrën tënde!
Gruaja: Prek me dorë ti fëmijën tim, unë të shqyej!
Vajza: Unë jam studentja që dal në protestë para jush!
Gruaja: Çfarë jeni ju?
Polici: Mos prek me dorë thashë!
Policia ka nisur me shpërndarjen edhe të protestuesve që janë pozicionuar në rrugët dytësore pranë “Rrugës së Durrësit”, duke vendosur edhe kordon sigurie.

Në kryqëzimin mes “Rrugës së Durrësit” dhe “Mine Peza”, po vijon përplasja mes protestuesve dhe policisë. Gjithashtu, një prej tyre është shoqëruar, ndërsa shihet i gjakosur në fytyrë.
Ilirjana Kuçana nga Partia Demokratike u përpoq ta ndalonte shoqërimin e tij, bashkë me disa protestues të tjerë.

Një grup protestuesish të maskuar sulmuan më pllaka trotuari godinën e Ministrisë së Arsimit. Këto janë dëmet që ka lënë pas sulmi, me xhamat e thyera dhe të bëra copash.
Një efektiv policie është lënduar gjatë protestës së studentëve te Ministria e Arsimit. Ai është marrë në autoambulancë për ndihmë mjekësore.
Një grup protestuesish i kanë vënë flakën një grumbulli kartonësh dhe sende të tjera në mes të rrugës pranë Ministrisë së Arsimit.
Protesta te Ministria e Arsimit ka marrë sërish hov. Protestuesit po hedhin gurë, sende të forta, kapsolla dhe po shkulin kangjellat në rrugë. Kangjellat buzë trotuarit janë shkulur nga një grup protestuesish të maskuar.
Policia po kundërpërgjigjet me ujë dhe ka krijuar një kordon sigurie. Njëkohësisht po përdoret edhe gaz lotsjellës nga policia, ndërsa protestuesit kanë hedhur edhe molotov.
Ky është momenti kur të rinj të maskuar shkulin kangjellat para Ministrisë së Arsimit
Xhama të thyer, gjurmë boje të kuqe e vezësh dhe shkrime si ‘ikni’, 'rezisto' apo ‘nuk ju duam’ shihen mbi fasadën e godinës së Ministrisë së Arsimit.
Pllakat dhe gurët e hedhur nga protestuesit kanë mbushur rrugën përpara Ministrisë së Arsimit. Ata kanë shkulur pllakat në trotuare për t’i hedhur kundrejt godinës së institucionit, si dhe ndaj efektivëve.
Një i moshuar në protestën te Ministria e Arsimit ka humbur ndjenjat në rrugë. Pranë i janë gjendur protestuesit të cilët po përpiqen t’i japin ndihmën e parë. Ndërkohë ka mbërritur edhe ambulanca për ta dërguar në spital.
Përplasje fizike po ndodhin midis policisë dhe protestuesve në protestën te Ministria e Arsimit. Një protestues shihet teksa bën rezistencë, ndërsa efektivët e kapin për ta shoqëruar. Mësohet se deri më tani ka disa shoqërime, por nuk ka ende një numër të saktë.
Sipas raportimeve, protestuesit janë ndarë në dy grupe, një pranë autobotit me ujë dhe një pjesë tjetër e kufizuar nga kordoni i policisë. Të rinjtë po hedhin edhe vezë drejt efektivëve.
Pas akteve të dhunës te Ministria e Arsimit, Policia nis të shpërndajë protestuesit me ujë
Protestuesit që po protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit kanë hedhur edhe fishekzjarre, flakadanë e ujë. Ndërkohë policia po përpiqet t’i shpërndajë duke hedhur ujë, spray me piper dhe gaz lotsjellës.
Ky është momenti kur një grup të rinjsh të maskuar qëllojnë me pallka trotuari godinën e Ministrisë së Arsimit. Një prje tyre sulmon me kangella një prej portave të Ministrisë.
-
Nuk e kuptova arësyen e protestës
Përgjigju









Komente
Komento