Tensione të reja në horizont, mes SHBA-ve dhe Kanadasë. Presidenti amerikan Donald Trump, i cili që në javët e para në Shtëpinë e Bardhë, përsëriti disa herë dëshirën që Kanadaje të bëhej Shteti i 51-të i SHBA-ve, po kërcënon tani të bllokojë hapjen e një ure që lidh shtetin e Michiganit dhe provincën kanadeze të Ontarios. Ura Ndërkombëtare Gordie Howe, me kosto 4.7 miliardë dollarë, është planifikuar të hapet në muajt e parë të këtij viti.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se mund të ndryshojë lejen e nevojshme për projektin, duke bllokuar funksionimin e tij. Trump kritikoi strukturën e pronësisë së projektit të financuar nga Kanadaja, i cili ka qenë në ndërtim e sipër që nga viti 2018, duke argumentuar se është "e papranueshme" që Ottawa kontrollon trafikun në urë dhe zotëron tokë në të dyja anët. Presidenti u ankua gjithashtu për përdorimin e pamjaftueshëm të materialeve të prodhuara në SHBA.
Në orët e fundit, kryeministri kanadez Mark Carney dhe Presidenti Trump kanë folur në telefon në lidhje me çështjen e urës. "Situata do të zgjidhet", tha Carney ndërsa fliste me gazetarët në Ottawa. Kryeministri shpjegoi se ia kishte bërë të qartë Trump-it se "Kanadaja financoi urën" dhe se projekti është në pronësi të përbashkët të Michiganit dhe qeverisë kanadeze. Carney më pas theksoi se çeliku dhe punëtorët amerikanë u përdorën në ndërtimin e infrastrukturës. Kryeministri shtoi se palët kanë rënë dakord të vazhdojnë diskutimet mbi këto çështje paralelisht me negociatat tregtare që po zhvillohen midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Biseda u konfirmua nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, sipas së cilës Trump foli me kryeministrin kanadez Carney, duke sqaruar qëndrimin e tij mbi urën e re. "Fakti që Kanadaja do të zotërojë tokë në të dyja anët është i papranueshëm", tha Leavitt, duke shtuar se manjati beson se SHBA-të duhet të kenë autoritet të përbashkët, duke zotëruar të paktën 50%.
Komente








