Humbja 5-2 kundër Interit në 'San Siro' ka sjellë një shkundje në kampin e Romës në Serie A. Mediet në Itali bëjnë me dije se klima te verdhkuqtë nuk është e qetë si disa javë më parë, kur rezultatet ishin aty dhe skuadra e Gian Piero Gasperinit po ecte mirë.
Tanimë 'Gazzetta Dello Sport' bën me dije se rinovimet e mbrojtësit Mancini dhe mesfushorit Cristante kanë ngec, ndërsa do merret në konsideratë edhe e ardhmja e trajnerit Gasperini.
Në konferencën për shtyp para Interit, trajneri i Gasperini tha: "Ky është një ekip me vlera, me një themel shumë të fortë. Kam dëgjuar disa kritika për këtë grup, se ata mund të përfundojnë vetëm të pestët ose të gjashtët. Por kini kujdes, sepse pa këta mund të përfundosh lehtësisht i dymbëdhjeti ose i trembëdhjeti."
Ashtu si pas humbjes ndaj Milanit, ku Friedkins (pronarët e Romës) vendosën të ndryshonin kurs, ashtu pritet të ndodhë sërish. Sidomos në lidhje me bërthamën, atë grup lojtarësh që kanë qenë themeli i ekipit për vite me radhë. Shkurt, nuk duket se ka ndonjë mirëkuptim midis trajnerit dhe pronarëve për këtë pikëpamje.
Rinovimet e ngecura
Askush në 'Trigoria' nuk i përmend, por është e lehtë të mendosh për ata lojtarë që kanë qenë shtylla kurrizore e skuadrës për vite me radhë. Kjo është edhe arsyeja pse rinovimet e kontratave të Mancinit dhe Cristantes janë praktikisht të 'ngrira', ashtu siç ato të Pellegrinit, Dybalës, Celikut dhe El Shaarawit nuk janë adresuar ende (përveç Pellegrinit, për të cilin ka pasur kontakte me përfaqësuesit e tij).
Reagimi dhe milionat
Te Roma ka edhe probleme të tjera të konsiderueshme. Duke filluar me investimet e bëra që nuk kanë dhënë rezultatet e duhura. Midis verës së kaluar dhe afatit kalimtar të janarit, Friedkins harxhuan 96.5 milionë euro, të cilat me siguri do të rriten në 121.5 milionë euro në qershor me blerjen e pritur të Donyell Malen.
Por përveç holandezit, Wesleyt dhe pjesërisht Ghilardit, nënshkrimet e tjera nuk kanë shkuar siç pritej; El Aynaoui mbetet një mister, Ziolkowski dhe Vaz janë talente me potencial dhe huazimet (Bailey, Ferguson, Zaragoza dhe Tsimikas) nuk kanë kontribuar aspak.
E gjithë kjo ka bërë që Roma të eliminohet para kohe (në raundin e 1/8-ave në të dyja rastet) së pari nga Kupa e Italisë dhe më pas nga Europa League. Dhe tani ata po e ndjekin Ligën e Kampionëve nga larg, madje duke rrezikuar të mbeten jashtë Evropës ( Atalanta është një pikë pas që nga dje).
Kjo është arsyeja pse atmosfera të premten në mbrëmje, kur Roma do të presë ekipin e fundit në renditje, Pisën, në 'Olimpico', pritet të sjellë fërshëllima. Stadiumi është gati të tregojë mosmiratimin e tij, si ndaj ekipit ashtu edhe ndaj trajnerit.
Tifozët prisnin një ndikim të ndryshëm prej tij, një aftësi të ndryshme për të ndikuar në ekip dhe për të përmirësuar individët. Shkurt, tifozët shpresonin të shihnin atë që Gasperini bëri te Atalanta. Në vend të kësaj, ata duhet të përballen me humbjet e papritura.
Komente










