Tensionet mes Francës dhe Gjermanisë dëmtojnë aftësinë e BE-së për të vepruar

Tensionet mes Francës dhe Gjermanisë dëmtojnë aftësinë e BE-së për të vepruar

Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz

Një njoftim i fundit se takimi ministerial franko-gjerman është shtyrë për janarin e ardhshëm, tregon sa e madhe është çarja e krijuar në marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. Aleanca midis Gjermanisë dhe Francës është quajtur shpesh "motor” i Bashkimit Europian dhe analistët thonë, se krisja aktuale është duke penguar aftësinë e BE për të vepruar.

Pallati Elysee shpjegoi me shpejtësi për vështirësitë e disa ministrave që të marrin pjesë në takim dhe mungesën e kohës për përgatitjen e takimit. "Shtyrja nuk tregon në asnjë mënyrë për gjendjen aktuale të marrëdhënieve franko-gjermane”, i tha shtypit javën e kaluar zëdhënësja e shtypit, duke shtuar se kemi të bëjmë me shtyrje dhe jo anulim të takimit. Por, deklarata e saj dhe planifikimi me shpejtësi i vizitës në Paris të kancelarit gjerman për këtë të mërkurë (26.10), nuk i bindi analistët.

Bashkëpunim me rëndësi jetike 

"Takimi ministerial franko-gjerman në përgjithësi nuk sjell rezultate shumë konkrete përveç marrjes së disa vendime të parëndësishme, si për shembull për organizimin e kurseve të përbashkëta të gjuhës, dhe është një rast ku të dy vendet rishprehin angazhimin për bashkëpunim të ngushtë,” thotë Stefan Seidendorf, zëvendësdrejtor i institutit franko gjerman DFI, me bazë në Ludwigsburg. 

"Por ky takim dhe bashkëpunimi franko-gjerman janë me rëndësi jetike për funksionimin e BE-së, dhe takimi nuk është anuluar asnjëherë, që kur është mbajtur për herë të parë në vitin 1963,” i tha ai Deutsche Welles.

Seidendorf shpjegon se ajo çka funksionon në politikën e jashtme amerikane nuk funksionon në Europë. Amerika mund të veprojë e vetme, sepse është aq e madhe saqë vendet e tjera mund të ecin në gjurmët e saj.

"Ndërkohë, asnjë vend europian nuk është aq i madh sa të garantojë i vetëm stabilitetin politik, prandaj nevojitet konsensusi bazë midis Francës dhe Gjermanisë, blloku me dy ekonomitë më të mëdha të Europës, i cili përfaqëson po ashtu edhe dy këndvështrimet më divergjente. Vendet e tjera e mbështesin këtë kompromis,” thekson Seidendorf.

Si Franca dhe Gjermania, janë duke vepruar të vetme 

Por aktualisht, si Gjermania ashtu edhe Franca duket se duan të ndjekin rrugë të veçanta. Berlini aprovoi së fundmi një paketë ndihme prej 200 miliardë dollarësh për të zbutur krizën e rritjes së çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike në vendin e vet, pa informuar më parë Francën. Informimi i Francës do të kishte qenë hap i mirëpritur, meqenëse një shumë e tillë parash mund të ndryshojë tregun. 

Përveç kësaj, në takimin e fundit të NATO-s, Gjermania nënshkroi një marrëveshje me 14 vende të tjera të NATO-s dhe Finlandën për të krijuar një sistem të ri mbrojtjeje nga ajri, të quajtur European Sky Shield Initiative, shkurt ESSI. Kjo nismë synon të krijojë në kontinent një program të përbashkët mbrojtjeje. Por Franca nuk ishte e përfshirë në të.

Hapi i hedhur nga Gjermania është njësoj si ai i hedhur nga Franca, sepse Franca është duke zhvilluar tashmë një sistem mbrojtjeje nga ajri, bashkë me Italinë, të ashtuquajturën Mamba.

Që me fillimin e sulmit rus kundër Ukrainës në majin shkurt të këtij viti, mbrojtja ushtarake ka marrë rëndësi të madhe.

Ndërkohë në takimin e nivelit të lartë të BE-së me kryetarët e shteteve dhe qeverive javën e kaluar, presidenti i Francës Emmanuel Macron njoftoi për një marrëveshje të re me Spanjën dhe Portugalinë për ngritjen e një gazsjellësi të ri hidrogjeni dhe gazi nga Barcelona në Marsejë. Ky projekt hodhi poshtë projektin për ngritjen e një gazsjellësi, të quajtur Midcat, që do të lidhte Spanjën dhe Francën duke kaluar nëpër Pirene. Berlini preferonte më shumë këtë projekt, duke shpresuar të përfitonte po ashtu nga gazi iberik.

Presidenti francez lëshoi direkt një deklaratë kundër vendit që presupozohet ta ketë aleat. ”Nuk është mirë as për Gjermaninë as për Europën kur Gjermania izolon veten”, tha ai.

Nuk është koha e shakave

"Të dyja palët janë të irrituara me njera-tjetrën," komenton Seidendorf. "Gjermania kujton se mund të bëjë marrëveshje multilaterale me vendet e tjera të vogla duke anashkaluar Francën. Kurse Franca është ende duke pritur nga Gjermania, që të pranojë kërkesën e Macronit për integrim më të thellë europian, bërë gjatë fjalimit që mbajti në Universitetin e Sorbonës në vitin 2017,” shton studiuesi i shkencave politike. Në atë kohë presidenti francez kërkoi mes të tjerash një buxhet të përbashkët të eurozonës dhe bashkëpunim më të madh në fushën ushtarake dhe në sektorin e taksave.

Por Sophie Pornschlegel, një analiste eksperte në institutin European Policy Centre me qendër në Bruksel, mendon se shfaqja e ironizimeve të ndërsjellta nuk është aspak zbavitëse. "Nuk kemi kohë për gjëra të tilla — në Europë ka plasur një luftë dhe ne jemi duke hasur krizë energjie," tha ajo për DW.

"Nëse jemi me fat dhe muajt e ardhshëm nuk do të jenë shumë të ftohtë, ne do ta kapërcejmë disi këtë dimër. Por, do të na duhet një zgjidhje afatgjatë e krizës së rritjes së çmimit të energjisë, për shembull duke krijuar në BE një fond solidariteti,” argumenton ajo. 

Përndryshe energjia do të bëhet e papagueshme, shton Pornschlegel, dhe do të çojë në krizë ekonomike dhe papunësi më të madhe.

"Çarja aktuale në Europë çon ujë në mullirin e [udhëheqësit rus] Vladimir Putinit dhe dëmton aftësinë e BE për të vepruar,” thekson ajo.

A janë mosmarrëveshjet shumë më të thella?

Ka sektorë ku Franca dhe Gjermania tradicionalisht nuk kanë arritur marrëveshje, për shembull në fushën e energjisë. Franca është pro përdorimit të energjisë atomike kurse Gjermania është kundër.

Por, siç thekson Jacques-Pierre Gougeon, një eskpert për Gjermaninë në Institutin për marrëdhënie ndërkombëtare dhe strategjike me bazë në Paris, kriza aktuale është më e thellë se mosmarrëveshjet e deritanishme.

"Hendeku i krijuar është aq i madh,” thotë Gougeon për DW, "sa që disa vende të vogla anëtare të BE, si Polonia dhe vendet baltike janë duke vënë në pikëpyetje aftësinë franko- gjermane për të drejtuar.”

Ronja Kempin, eksperte në Institutin gjerman për çështjet ndërkombëtare dhe të sigurisë me qendër në Berlin, mendon po ashtu se grindjet aktuale reflektojnë mosmarrëveshje më të thella, më fundamentale. "Macron ka kohë që kërkon që BE të punojë me grupe më të vogla, të krijuara për çështje specifike dhe është kundër zgjerimit të BE-së, pa bërë reformimin e tij. Ai e sheh BE-në si rrugë për të zgjeruar pushtetin e Francës,” shpjegon ajo për DW.

"Gjermania, nga ana tjetër e sheh BE-në si rrugë për të bërë ndryshime dhe për të sjellë paqen për vendet,” shton ajo.

Duke parë anët pozitive Seitendorfi nga DFI sheh ende një fije shprese.

"Drejtuesve të Gjermanisë dhe Francës u është dashur shpesh të kalojnë në procesin e marrjes së leksioneve për të kuptuar, se BE nuk mund të funksionojë pa dyshen franko- gjermane.”

Seidendorf thekson, se ish-drejtuesi gjerman Ludwig Erhard, që ka qenë në pushtet në vitet 1960-të dhe ish- presidenti francez Nicolas Sarkozy, president nga 2007 deri më 2012, kanë marrë leksione të tilla.

Është "shumë e vështirë” të arrish në kompromis me një aleat që nuk bie dakord me ty për çështje të caktuara, pranon ai. "Por dikur të gjithë e marrin kthesën”./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ambasadorët në turin e Ramës me diasporën! Hasani: Aktivitetet u zhvilluan në fundjavë! Opozita po ankohet për humbjen 6 muaj para

Ambasadorët në turin e Ramës me diasporën! Hasani: Aktivitetet u zhvilluan në fundjavë! Opozita po ankohet për humbjen 6 muaj para