Ndërsa lufta në Iran ka arritur në 100 ditë dhe negociatat kanë mbetur në ngërç, tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm pasi IDF-ja nisi një sulm në periferi të Bejrutit, duke nxitur një hakmarrje nga Teherani që rrezikon të përfshijë edhe objektiva amerikane në rajon.

Përshkallëzimi shpërtheu vonë në mbrëmje kur Irani nisi një seri valësh raketash, duke shkaktuar sirenat që dhanë alarmin për herë të parë që nga armëpushimi.

Sirenat u dëgjuan gjithashtu në disa vende të Gjirit. Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, kërcënoi se "Teherani duhet të digjet", ndërsa avionët luftarakë izraelitë u ngritën për të kundërsulmuar Iranin.

Donald Trump, i informuar menjëherë për përshkallëzimin, u përpoq t'i hidhte ujë zjarrit duke folur në Fox: "Ju keni lëshuar raketat tuaja, mjaft", i paralajmëroi ai iranianët, duke i kërkuar Teheranit të kthehej në tryezën e negociatave dhe të arrinte një marrëveshje.

Ky është sulmi i parë raketor iranian kundër Izraelit që nga shpallja e armëpushimit më 8 prill.  Forcat Ajrore Izraelite thonë se kanë kapur "të gjitha raketat e lëshuara nga Irani deri më tani".

Ata shtojnë se janë identifikuar "lëshime të tjera" dhe ushtria izraelite po "zbulon dhe kap vazhdimisht kërcënime". Sipas mediave amerikane, Izraeli ka të ngjarë t'i përgjigjet sulmit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:10
Garda Revolucionare e Iranit: Operacioni ndaj Izraelit ishte paralajmërim! Nëse sulmoni, do të godasim objektivat amerikane

Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se sulmet ndaj Izraelit “shërbyen si paralajmërim”.

“Operacioni i mbrëmjes së sotme ishte vetëm një paralajmërim. Nëse këto agresione do të përsëriten, përgjigjet do të jenë më të gjera dhe do të përfshijnë të gjitha objektivat amerikano-zioniste në rajon”, bëjnë të ditur Pasdaranët.

Ora 22:03
Sulmet ndaj Izraelit, Trump mesazh Iranit: Boll! Rikthehuni në negociata

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i ka bërë thirrje Iranit të rikthehet në tryezën e negociatave pasi ky i fundit lëshoi raketa drejt veriut të Izraelit.

Duke folur për rrjetin amerikan Fox News, Trump përcolli këtë mesazh për Iranin:

“I keni lëshuar raketat tuaja. Kaq mjafton. Kthehuni në tryezën e negociatave dhe arrini një marrëveshje. Do të kisha thënë se marrëveshja do të nënshkruhej të hënën, të martën ose të mërkurën, dhe tani ndodh kjo”, tha presidenti amerikan.

“Forcat e armatosura amerikane janë në gjendje gatishmërie”, shtoi ai.

Ora 21:49
Irani lajmëron sulme të pandërprera ndaj Izraelit: Do të vijojnë përgjatë gjithë javës

Foto nga sulmet e mëparshme iraniane në Izrael

Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka deklaruar se njësitë e raketave dhe dronëve kanë ndërmarrë një sulm të koordinuar dhe intensiv, duke goditur zemrën e qyteteve veriore në Izrael.

Trupat e Pasdaranëve thonë se “ky operacion nuk është një ngjarje kalimtare, por fillimi i një jave të plotë sulmesh të vazhdueshme”.

Në një deklaratë, thuhet: “Valët e raketave dhe dronëve do të vazhdojnë të lëshohen pa ndërprerje gjatë shtatë ditëve të ardhshme, derisa armiku të frenohet dhe të ndalojë krimet e tij. Çdo sulm ndaj territorit iranian do të përballet me një përgjigje shkatërruese dhe dërrmuese, përtej çdo pritshmërie.”

Ora 21:34
Sulmet me raketa, ministri izraelit Ben Gvir: Teherani duhet të digjet sonte!

1780860914_ytduuio.JPG

Ushtria izraelite njoftoi së fundmi për raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit.

Pas këtyre sulmeve të raportuara, ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, bëri thirrje që Teherani të digjet sot.

"Teherani duhet të digjet sonte!" shkroi këtë ministri izraelit i ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir, në rrjetin social ‘X’. 

Ora 21:25
Valë të reja sulmesh ndaj Izraelit, Irani lëshon raketat

Ushtria izraelite ka njoftuar se pak më parë janë lëshuar raketa nga Irani drejt Izraelit. “Sistemet e mbrojtjes janë aktivizuar për të ndërprerë kërcënimin”, deklaroi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, ndërsa më pas u njoftua për një valë të dytë sulmesh.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në momentin kur u publikua lajmi për lëshimin e raketave iraniane drejt Izraelit, postoi në platformën X një imazh që paraqet flamujt e Iranit dhe Libanit të bashkuar. Kjo u interpretua si një shenjë solidariteti e Teheranit me Bejrutin përballë sulmeve izraelite.

Ora 16:33
Irani: Është i mundur një ultimatum 30-ditor për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

1778361627_ngushticaehormuzit.png

Teherani mund të vendosë një ultimatum 30-ditor për të rihapur Ngushticën e Hormuzit nën kontrollin iranian, në dritën e veprimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara. Anëtari i ekipit negociator iranian, Majid Shakeri, e deklaroi këtë në një intervistë me agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve Fars të Iranit.

"Sipas këtij propozimi, Teherani pritet të njoftojë se rihapja e Ngushticës së Hormuzit nën administrimin iranian do të jetë e mundur vetëm 30 ditë pasi të jenë eliminuar të gjitha kërcënimet nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj", tha Shakeri, një anëtare e ekipit negociator iranian gjatë bisedimeve të fundit në Islamabad.

Ndërkohë, Shina Ansari, kreu i Departamentit të Mjedisit të Iranit, tha se po shqyrtohet një propozim për të futur tarifa për shërbimet detare dhe mjedisore në Ngushticën e Hormuzit.

"Diskutimi nuk ka të bëjë vetëm me mbledhjen e tarifave, por edhe me ofrimin e shërbimeve, të cilat mund të përfshijnë udhëzime për navigim, operacione kërkim-shpëtimi, sigurimin e sigurisë së anijeve dhe mbrojtjen e mjedisit detar", tha Ansari, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim të Iranit. Tarifat e propozuara do të lidhen pjesërisht me dëmet mjedisore të shkaktuara nga trafiku detar dhe rreziqet për ekosistemet detare, shtoi ai.

E ardhmja e ngushticës mbetet e pasigurt, pasi negociatat janë ende të bllokuara. Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë riafirmuar sovranitetin e Teheranit mbi ngushticën, së bashku me atë të Omanit. Sipas një zyrtari të lartë parlamentar iranian, anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit me lejen e Iranit tani ngarkohen me një tarifë mesatare prej 1.5 milion deri në 2 milion dollarë.

Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur që Ngushtica të jetë "plotësisht e hapur" për transportin tregtar pas luftës, pa taksa ose kushte. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një bllokadë detare të Hormuzit që nga prilli, pasi Irani në fakt e mbylli rrugën ujore pas fillimit të sulmeve izraelito-amerikane më 28 shkurt.

Ora 15:21
Human Rights Watch: Izraeli po përdor fosfor të bardhë në Liban

1780588779_liban.jpg

Grupet e të drejtave të njeriut dhe New York Times pretendojnë se kanë dokumentuar përdorimin e fosforit të bardhë nga Izraeli në zonat civile në Liban.

Kjo substancë mund të shkaktojë djegie të rënda, probleme me frymëmarrjen dhe vdekje. Sipas gazetës amerikane, Izraeli përdori fosfor të bardhë në qytetin libanez Nabatieh më 30 maj, gjë që konfirmohet nga videot e postuara në mediat sociale.

Fosfori i bardhë nuk është i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar, por është e paligjshme të përdoret ky kimikat në ose afër zonave të populluara, sepse mund të shkaktojë dëme të shumta.

Për dekada të tëra, Izraeli është akuzuar nga komuniteti ndërkombëtar i të drejtave të njeriut për përdorimin e fosforit të bardhë në mënyra që rrezikojnë civilët.

"Mund të shkaktojë lëndime të dhimbshme, lëndime që zgjasin një jetë", tha Ramzi Kaiss, studiues i Libanit për organizatën ndërkombëtare joqeveritare Human Rights Watch. "Ose mund të shkaktojë vdekje", shtoi ai.