I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka dhënë një intervistë për BBC. Escobar ka thënë se Kurti duhet të tërheqë policinë nga objektet komunale dh të fillojë punën për themelimin e Asociacionit.
“Kurti duhet të tërheqë policinë nga objektet komunale, dhe urgjentisht, urgjentisht të fillojë punën për punën e Asociacionit”, tha Escobar.
Ai ka thënë se përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës, ka qenë i shmangshëm.
“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”.
Escobar ka thënë se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës, kanë hasur në rezistencë.
“Nuk ka pasur nevojë që të shkohet në ato ndërtesa. Ato nuk e kanë ndonjë vlerë reale. Ato janë kryesisht të thata tani. Kurti na ka siguruar që ata kryetarë do të ushtrojnë vetëm autoritetet administrativ, për të kryer shërbime bazike komunale”.
Escobar ka përsëritur se duhet të thyhet cikli i dhunës dhe se të dyja palët, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësi për të vepruar në atë drejtim.
“Shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar janë duke e parë këtë situatë si përbalje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por na duhet ta kujtojmë se këtu ekziston edhe një dështim për arritur pajtim etnik brenda Kosovës. Ne i kemi inkurajuar të dyja palët që të angazhohen në dialog”.
I pyetur se çfarë kërkon aktualisht SHBA-ja nga Kurti, Escobar ka thënë se kryeministrit të Kosovës i janë dhënë shumë porosi.
“Ne e kemi porositur atë që t’i tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, që t’i largojë zyrtarët policorë nga ndërtesat, dhe që më pas, me urgjencë, të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Lajmi kryesor: