Situata në veri të Kosovës duhet zgjidhur vetëm me dialog. Kështu u shpreh kryetarja e komisionit për Politika të Jashtme, Mimi Kodheli në Report Tv duke i kujtuar Serbisë se nëse tenton të përshkallëzojë situatën, do të përballet me NATO. Po ashtu, Kodheli ka besim se mund të zgjidhen gjërat në mënyrë të paqtë brenda Ballkanit.
“Nuk kam menduar që këtë fundviti do të kishim këtë realitet të panevojshëm, një konflikt që duhet të evitohet se vjen gjithmonë si pasojë e mangësisë që njerëzit kanë për t’u ulur në tryezë. Më duhet të përfshij dhe BE e SHBA, të cilët duhet të kenë më shumë zë nga ç’kanë sot. Në fakt nuk ka një rrugë konflikti që mund të çojë në zgjidhje. Kjo mund t’i shërbejë Serbisë. Në Prishtinë ekziston e vëzhgon misioni më jetëgjatë i NATO-s, KFOR, dhe nëse konflikti do të përshkallëzohej, do të përfshihej NATO. Kjo do të ishte hera e 2 që Serbia përballet me NATO dhe shpresoj shumë që Serbia e ka mësuar leksionin e parë. Unë besoj që jemi mjaftueshmërisht të zotë brenda Ballkanit për t’i zgjidhur gjërat në mënyrë të paqtë”, tha deputetja Mimi Kodheli në një intervistë për ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj.
Sa i përket qëndrimit të Shqipërisë që është kritikuar se ka qasje të butë drejt Serbisë, Kodheli thotë se kreu i qeverisë është mjaft i guximshëm në reagimet e tij për Kosovën.
“Unë besoj që mjafton të lexoni fjalimet e Ramës në OKB ose Strasburg për të kuptuar cili është qëndrimi i tij. Madje qëndrimet e tij kanë qenë më shumë se të guximshme kur flitet për Kosovën e rajonin. Mund të jenë kritikuar për momentin se janë gjykuar nga njerëz mendjeshkurtër por duhen parë me vëmendje, me vazhdimësi. Mendimet kanë qenë të drejta e të guximshme. Mundet që jo domosdoshmërisht qëndrimet në dukje të ashpra janë më patriotike. Qëndrimi duhet të jetë i drejtë dhe inteligjent se është e thjeshtë të rrahësh gjoksin. Kosova pretendon disa gjëra që mund të ishin bërë kohë më parë. E rëndësishme është që sot të ketë zgjidhje përmes dialogut”, tha Kodheli.
dërsa për zgjedhjet e 14 majit, shprehet se do të bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve njësoj si herët e shkuara dhe ka shpresë se mund të marrin fitore dhe në Shkodër. Për primaret e Berishës thotë se nuk janë ndonjë shpikje, por PS do të jetë besnike e mënyrës tradicionale.
“Në disa qytete, fitorja do jetë e qenësishme. Do ketë gara serioze në disa qytete por mund të thyhen disa tabu. E uroj dhe shpresoj për Shkodrën. Besoj që ne nuk e llogarisim këtë fushatë dhe nuk i kemi bërë llogaritë në këtë fushatë duke shpresuar se do të fitojmë lehtë apo do të kemi 2 apo më shumë kandidatë. Kjo na mbush me përgjegjësi se nëse disa vite më parë, u bë pa garë prej bojkotimit të opozitës, ka bërë që përgjegjësitë tona të rriten. Kush e mendon ndryshe, e ka gabim. Gara do të jetë serioze dhe besojmë që në masë do ta fitojmë, nga Tirana në disa prej qyteteve kryesore. Ne kemi zgjedhur mënyrën tradicionale të zgjedhjes së kandidatëve. Ka qenë proces që e kemi njohur mirë dhe kemi zgjedhur kandidatët e duhur”, tha Kodheli.