Tensionet në veri të Kosovës, Kurti e Vuçiç ftohen për t’u takuar në Bruksel, BE-ja jep detaje

Tensionet në veri të Kosovës, Kurti e Vuçiç ftohen për t’u takuar në Bruksel, BE-ja jep detaje

Kurti dhe Vuçiç nga takimi në Bruksel. Foto arkivi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pritet që së shpejti të takohen në Bruksel, si rrjedhojë e tensioneve të përshkallëzuara në veri të vendit.

Për këtë takim dy liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar nga Bashkimi Evropian.

Peter Stano, zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, s’ka treguar për datën e takimit.

“Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, i ka ftuar ata të vinë në Bruksel. Do të japim datën e saktë kur të jetë e caktuar”, ka thënë Stano.

Stano nuk komentoi për situatën në veri, ku ka pasur hedhje të bombave dhe sulmeve ndaj Policisë. Borrell ka paralajmëruar ftesë për dy liderët prej 23 nëntorit, pasi Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Kosova është pajtuar që të pezullojë planin e saj për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës, derisa Serbia është zotuar se nuk do të lëshojë më targa të reja për serbët në veri. Megjithatë, situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar më 6 dhjetor pasi disa grupe të qytetarëve serbë kanë penguar hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor në zyrat e këtij institucioni në veri, me qëllim të përgatitjes për zgjedhje, dhe kështu kanë shkaktuar incidente me armë zjarri.

Për incidente të tilla është raportuar në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Një ditë më vonë, në Mitrovicë të Veriut është raportuar për dy shpërthime me shok bomba.

Zgjedhjet për komunat veriore - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan - janë caktuar për 18 dhjetor, pasi kryetarët e tyre kanë dhënë dorëheqje si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat. Përveç tyre, edhe serbët lokalë janë tërhequr nga institucionet e Kosovës në nivel qendror dhe lokal, përfshirë Policinë e Kosovës dhe gjyqësorin.

Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna - i kundërshton këto zgjedhje.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës më 18 dhjetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me intensifikimin e sulmeve në veri do të ketë prani të shtuar të policisë në këtë pjesë të vendit.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar “grupet kriminale” për sulmet në veri, duke thënë se ato “paguhen dhe drejtohen nga Serbia” për incidentet në veri të Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Kosova shpreh rezervat, Osmani: Pse nuk dënohet agresioni dhe terrorizmi i sulmit në Banjskë?

Deklarata e Samitit BE-Ballkani Perëndimor/ Kosova shpreh rezervat, Osmani: Pse nuk dënohet agresioni dhe terrorizmi i sulmit në Banjskë?