Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë bërë që NATO të zhvillojë një takim të jashtëzakonshëm me ministrat e Jashtëm. Duke qenë se edhe Shqipëria është pjesë e NATO-s e pranishme në takim ishte edhe ministrja Olta Xhaçka.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaçka bën me dije se është diskutuar për pozicionimin e forcave ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës. Ministrja e Jashtme thekson se Shqipëria mbështet zgjidhjen e konfliktit përmes dialogut.
“Mirënjohje Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për mbledhjen e jashtëzakonshme të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, mbi pozicionimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe çështjet më të gjera të sigurisë evropiane. Një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi këtë kërcënim serioz për sigurinë dhe mënyrat për ta trajtuar atë. Theksova mbështetjen e Shqipërisë për dialogun me Rusinë duke qëndruar të patundur në parimet dhe angazhimet tona”, shkruan Xhaçka.
Tensionet mes Lindjes dhe Perëndimit janë rritur ndjeshëm kohëve të fundit. Retorika e luftës ka qenë shpesh e pranishme, ndërsa në kufirin pranë Ukrainës, janë rreshtuar rreth 100 mijë ushtarë të Rusisë. Për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut, më 10 janar në Gjenevë të Zvicrës, do të mbahet raundi i parë i bisedimeve mes diplomatëve të Uashingtonit dhe atyre të Moskës.