FIER-Një 47-vjeçar ka humbur jetën gjatë tentativës për të vjedhur një banesë private. Ngjarja e rëndë dhe e pazakontë ka ndodhur në qytetin e Fier, ku autori dyshohet se ka tentuar të hyjë nga dera prej xhami por ka mbetur i bllokuar...

Viktima është Ilir Zarka, banues në lagjen “1 Maji” të Fierit, ndërsa ngjarja ka ndodhur në lagjen “8 Shkurti”. Sipas burimeve nga vendngjarja, 47-vjeçari dyshohet se ka hyrë gjatë natës dhe fillimisht ka thyer xhamin e një dere anësore të banesës.

Më pas ka tentuar të futet nga dera kryesore prej xhami, ku ka mbetur i bllokuar me trupin pjesërisht brenda strukturës…. Dyshimet e para janë se Ilir Zarka mund të ketë humbur jetën si pasojë e bllokimit apo ndonjë problemi shëndetësor të papritur, por kjo pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Xhami i thyer i derës së tualetit

Xhami i thyer i derës ku ngeci hajduti

Banesa ka qenë bosh, pasi pronari, Uran Hila, ndodhej në Greqi për festen e Pashkëve. Ndërsa trupi i pajetë është gjetur mëngjesin e sotëm nga një banor i zonës i cili ka njoftuar vëllanë e pronarit te banesës dhe policinë.

“Vëllai ka ikur ka një muaj në Greqi tek fëmijët. Para dy ditësh isha këtu, kontrollova nuk kishte gjë. Kalon një komshi që vjen çdo ditë për të ushqyer qenin. Kishte gjetur një person këtu në dritare, me vrap kishte lajmëruar policinë, lajmëroi edhe vëllanë. Erdha këtu, policia bëri verifikimet. Fillimisht kishte thyer xhamin aty, s’kishte gjeturi gjë, ka ardhur te dritarja e shtëpisë, ka tentuar të futet aty, ka ngecur gjysmë trupi, as nuk dilte asgjë. Në mëngjes, komshiu erdhi dhe e gjeti të vdekur”, tregon, vëllai i pronarit të banesës.

Policia e Fierit mbërriti në vendngjarje ku ka kryer veprimet e para hetimore por pa përcaktuar ende shkakun e vdekjes, për të cilën pritet ekspertiza.