Një konflikt i hershëm mes dy të rinjve, që dikur kanë qenë shokë të afërt, përfundoi në një tentativë vrasjeje brenda një kalçetoje në Shkodër. 
Klaus Fermosi, 25 vjeç, dyshohet se ka shkuar në ambientet e fushës sportive mbrëmjen e 11 tetorit me qëllimin për të vrarë Jozefin Ujkën, 26 vjeç, por tentativa e tij ka dështuar pasi pistoleta me të cilën tentoi ta qëllonte nuk është shkrepur.

Sipas të dhënave paraprake, 25-vjeçari ka hyrë në ambientet e fushës sportive dhe i ka drejtuar armën e zjarrit Jozefin Ujkës, duke tentuar ta qëllojë. Por pistoleta nuk ka shkrepur, duke bërë që tentativa e dyshuar për vrasje të mos përfundonte në tragjedi.

Pas kësaj ngjarjeje dyshohet se fshihet një konflikt i vjetër mes dy të rinjve, të cilët më herët kanë qenë shokë të afërt. Rreth pesë vite më parë, Klaus Fermosi dhe Jozefin Ujka janë përfshirë në një konflikt për shkak të një vajze.

Në atë kohë, situata mes tyre u mbyll pas ndërhyrjes së dy familjeve, të cilat arritën ta zgjidhnin përplasjen. 

Megjithatë, duket se marrëdhënia mes dy të rinjve nuk është normalizuar përfundimisht. 

Policia e Shkodrës vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes, ndërsa po punojnë për kapjen e Klaus Fermos-it, i shpallur në kërkim si i dyshuar për tentativën e vrasjes së Jozefin Ujkës.