Një 29-vjeçar, i shpallur në kërkim për një tentativë grabitjeje në Shkodër, është arrestuar nga Forcat OperacionaleTiranë. Në pranga është vënë Fatjon Bruçi (alias Fatjon Bruci), i cili akuzohet se më 29 gusht, i armatosur dhe i maskuar me skafandër, tentoi të vidhte në një argjendari në Shkodër.

29-vjeçari u ndalua në lagjen “5 maji”  teksa lëvizte me një automjet tip “Audi”, ndërsa në pranga u vunë edhe dy të tjerët që ndodheshin me të, Xhonatan Deliu, 21-vjeç dhe Enri Elezi, 19-vjeç, për përkrahje të autorit të krimit. Bruçit, gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti edhe një sasi kanabisi.

29-vjeçari kishte marrë edhe një banesë me qira në kryeqytet, ku u gjet një pistoletë, dy maska, municion luftarak, 3 pajisje për grirjen e lëndëve narkotike, 550 dollarë fals, një shumë lekësh dhe aksesorë. Policia i sekuestroi gjithashtu edhe dy automjete dhe një celular.

Ndaj tij, gjykata e Shkodrës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për vjedhje me armë mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Ngjarja për të cilën akuzohet, ndodhi paraditen e 29 gushtit, ku i armatosur dhe me skandaër motori në kokë ka hyrë brenda argjendarisë në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër me qëllim për të grabitur. Pronari i argjendarisë i ka kërkuar që të heqë skafandrën, por ai ka refuzuar dhe është larguar me vrap, duke lënë edhe motomjetin para argjendarisë. Ai i drejtoi edhe armën pronarit që të mos e ndiqte.

Njoftimi i policisë: 

Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor i koduar “Identikiti”.

Operacioni, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë.

Lokalizohet në Tiranë dhe vihet në pranga, një shtetas me rrezikshmëri shoqërore të lartë, i implikuar në një sërë veprimtarish kriminale.

Më datë 29 gusht 2025, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti, ai tentoi të vidhte në një argjendari në Shkodër.

Në momentin e ndalimit, 29-vjeçari  kishte me vete sasi Cannabisi.

Në banesën që ai kishte marrë me qira, në Tiranë, me qëllim fshehjen, mbante pa leje, 1 armë zjarri pistoletë.

Gjithashtu, në këtë banesë u gjetën 2 maska silikoni, municion luftarak, 3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike, si dhe 550 dollarë (kartëmonedha false). 

Arrestohen për përkrahje të 29-vjeçarit, 2 shtetasit që lëviznin me të, në automjet, në momentin e kapjes.

Në kuadër të operacionit “Identikiti”, shërbimet e DFPO-së, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, dhe të Komisariatit të Policisë  nr 4, Tiranë, bazuar në informacionet e marra,  kapën në lagjen “5 Maji”, Tiranë, duke lëvizur me një automjet tip “Audi”, dhe vunë në pranga shtetasit F. B. alias F. B., 29 vjeç, Xh. D., 21 vjeç dhe E. E., 19 vjeç.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi F. B. alias F. B. u vu në pranga sepse Gjykata e Shkodrës më datë 30.09.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas është autor i tentativës për të vjedhur në një argjendari, në lagjen “Vasil Shanto”, ku hyri më datë 29.08.2025, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti.
Gjatë kontrollit fizik në momentin e arrestimit, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa.
Më tej, gjatë kontrollit në banesën që kishte marrë me qira, në Tiranë, u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 2 maska, municion luftarak, 3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike, 550 dollarë (kartëmonedha false), shumë lekësh dhe aksesorë, të cilat u sekuestruan së bashku me 2 automjete dhe me 1 celular.

Ndërkaq, në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. D. dhe E. E., për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi ishin pasagjerë në automjetin e të kërkuarit, në momentin e ndalimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.